Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje nga ku ka njoftuar se e kanë suspenduar një gjyqtar, i cili po hetohet.
“Këshilli, pas shqyrtimit dhe analizimit të dy rasteve disiplinore ka themeluar panelet hetimore. Sa i përket rastit AD/KGJK/04/2024/GJTHPR-AD/GJTHPR/8/24, Këshilli bazuar në kërkesën e autoritetit kompetent me shumicë të votave vendosi për suspendimin e gjyqtarit që është subjekt i hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se Këshilli vlerësoi se suspendimi i subjektit të hetimit, në këtë fazë të procedurës, do të krijojë parakushte që paneli hetimor të hetoj në tërësi çështjen në mënyrë të pavarur, objektive dhe të pa ndikuar.
Sipas burimeve të Betimi për Drejtësi,bëhet fjalë për gjyqtarin Agim Kuçi.
Drejtori i Institutit për Drejtësi në Kosovë, Ehat Miftaraj e ka përshëndetur këtë veprim duke shkruar se me këtë veprim KGJK e rritë llogaridhënien.
“Pa paragjykuar fajesine apo pa fajesine e gjykatesit, reagimet dhe verpimet e KGJK rrisin llogaridhenien dhe besueshmerine e publikut ne sistemin gjyqesor duke i mbajtur pergjegjes te njejtit kur ka dyshime per shkelje profesionale.” – ka shkruar ai.
Gabim të madh dhe dështim të drejtësisë po e quan arratisjen e Enver Sekiraqës, babai i policit Triumf Riza, Shefqeti
Shefqet Riza në një prononcim për gazetën Nacionale ka deklaruar se arratisja e Sekiraqës është një skenar i përgatitur.
“Natyrisht që është e dhimbshme, se qe 17 vjet po merremi nëpër gjykata. Herën e parë dënohet 37 vjet, ia zbresin 30, tani 25, 12 vjet ia heqin edhe është një skenar këtu, se përndryshe qysh mundet me ik ai”, thotë Shefqet Riza për Nacionalen.
Ai ka deklaruar se një hallkë e sistemit të drejtësisë nuk po funksionon si duhet.
“Unë nuk kam qysh me komentu. Më së paku mua më përket me komentu. Duhet me pyet sistemin e drejtësisë, gabimet janë të tyre. Një hallkë dikund nuk po funksionon mirë, nuk ka kurrfarë kuptimi, është absurde që kryekrimineli i Kosovës, që e ka vra një zyrtar policor, që faktikisht nuk ka shkuar për qejf të vetin por për çështje të interesit shoqëror”, tha babai i policit Triumf Riza për Nacionalen.
Ai ka thënë se Prokuroria e ka kryer punën e saj, por ka theksuar se vazhdimisht ka pasur insistime që Enver Sekiraqa të lihet i lirë.
“Komplet e pakuptueshme si të lëshohet në arrest shtëpiak, e në fund të lirohet. Ky ka qenë gabim. Në seanca disa herë ka kërkuar kjo mbrojtja, unë si palë e dëmtuar kam reaguar, dhe prokuroria ka kryer misionin e vet nuk është pajtuar. Më pas u vendos që Enver Sekiraqa të lirohet në arrest shtëpiak, e më pas u liru krejt”, tha Shefqet Riza.
Ditën e diel, Policia e Kosovës konfirmoi se Enver Sekiraqa, i dënuar me 25 vjet burg për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, nuk po arrihet të lokalizohet.
Kjo shtoi dyshimet se i njëjti është arratisur.
“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë. Meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njejti nuk është hasur në shtëpi” – thuhej në njoftim.
“Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kan kërkuar të njejtin, por nuk e kan hasur në shtëpi. Veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë. Njëkohësisht Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj të pandehurit” – kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës.
Avokati Besnik Berisha që në kërkesën në Gjykatën e Apelit, del se është avokat i Sekiraqës, ka thënë se ai nuk është arratisur.
“Sa më shume reagime nga politikanët për rastin e Enver Sekiraqes, aq më shumë shtohet bindja se ai nuk mund të këtë gjykim të drejtë në një ambient si ky”, ka shkruar Berisha në Facebook.
Berisha thotë se “nuk fitohen zgjedhjet duke bërë gjyqtarin në Facebook”, duke iu referuar në mënyrë indirekte deklaratave të ministres Albulena Haxhiu.
“Meqë ra fjala, Enver Sekiraqa nuk është arratisur, ndaj mos i kryqëzoni ata që e kanë lënë të lirë, e mos i lavdëroni as ata qe ne shkelje të ligjit dhe kushtetutës e kanë urdhërua masën e paraburgimit”, ka shkruar tutje Berisha.
Për këtë rast kishte reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke theksuar se kjo dëshmon gjendjen e tmerrshme në sistemin e drejtësisë.