Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Peter Stano, ka thënë se mbetet i qartë qendrimi i Bashkimit Evropian për gjenocidin e Srebrenicës dhe se çdo shtet që e mohon këtë të fundit nuk ka vend në BE.
“Kur bëhet fjalë për Srebrenicën, e çështjen e gjenocidit në Srebrenicë, qëndrimi i BE-së dhe i institucioneve të BE-së është shumë i qartë dhe përsëritet çdo korrik në përvjetorin e kësaj ngjarje të tmerrshme në historinë evropiane”, u shpreh Stano.
Ai shtoi se nuk vihet në dyshim se në Srebrenicë ka pasur gjenocid dhe se një gjë e tillë nuk është opinion por vendim i Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
“Nuk mund të ketë asnjë mohim apo relativizim të gjenocidit në Srebrenicë. Nëse ka pasur gjenocid apo jo, nuk është çështje opinioni, por është vendim i organeve ndërkombëtare gjyqësore. Gjykata Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavi (ICTE) dhe trupat tjerë ndërkombëtarë gjyqësorë, kanë thënë qartë se kishte gjenocid në Srebrenicë. Të gjithë duhet të pranojnë këtë, të respektojnë dhe të gjithë që tentojnë ta vënë në dyshim nuk kanë vend në Evropë”, ka thënë zëdhënësi i BE-së në një konferencë për media.
Stano ka shtuar se BE-ja s’do të tolerojë askënd që mohon gjenocidin, relativizion apo glorifikon kriminelët e luftës.
“Këtë u themi gjithë partnerëve që duan të bëhen pjesë e BE-së. Presim të gjithë akterët politikë në Ballkanin Perëndimor që të frenohen nga çdo veprim apo retorikë, që vë në dyshim kredencialet e tyre evropiane, e të shihet kjo si mohim i gjërave të tmerrshme që ndodhën në Srebrenicë”, ka thënë Stano.