Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se në një seancë të Kuvendit Komunal të thirrur më 24 maj në mënyrë të njëanshme nga kryesuesi i Kuvendit, Fehmi Kupina, janë hequr nga rendi i ditës dy pika.
Rama tha se kjo përbën shkelje ligjore dhe në mbledhjen e radhës të Komisionit për Politikë dhe Financa do t’i propozojë vetë ai këto dy pika.
Pikat e hequra, sipas Ramës, janë Plani Rregullues i Lagjes Kalabria si dhe Plani Zhvillimor Komunal i Prishtinës.
Fehmi Kupina në mars u rizgjodh kryesues i Kuvendit Komunal si kandidat i pavarur.
Reagimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Me datën 24 maj 2024 kemi thirrur seancën e Kuvendit të Kryeqytetit për të shqyrtuar pika të rëndësishme për interesin e qytetarëve të Prishtinës.
Në mesin e pikave të propozuara nga ekzekutivi i Prishtinës janë edhe Plani Rregullues i Lagjes Kalabria si dhe Plani Zhvillimor Komunal i Prishtinës.
Për çudi, Kryesuesi i Kuvendit Komunal z. Fehmi Kupina, pa asnjë konsultë me mua ashtu siç e përcakton legjislacioni në fuqi, i ka hequr nga rendi i ditës në mënyrë të njëanshme këto dy pika, duke bërë shkelje ligjore si dhe duke mos qenë bashkëpunues në vizionin tonë për transformimin e Prishtinës.
Për njoftimin tuaj, në cilësinë e Kryetarit të Kryeqytetit, në mbledhjen e radhës të Komisionit për Politikë dhe Financa do t’i propozoj këto pika që të hyjnë në rend të ditës për seancën e datës 24 maj 2024.
Askush nuk mund ta ndalë zhvillimin dhe transformimin e Prishtinës tonë!