Një zyrtar policor u arrestua të mërkurën për ngacmim seksual të një vajze të mitur në Gjakovë. IPK në kordimin me Prokurorinë e Shtetit ka nisur hetime lidhur me rastin duke e dërguar në mbajtje 48 orë policin e dyshuar.
Insajderi mëson se ai është Art Dafota, zyrtar policor në stacionin policor në Gjakovë.
Insajderi sjell edhe fotografinë e të dyshuarit për “ngacmim seksual”.
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se përmes telefonit janë njoftuar lidhur me dyshimet se ky zyrtar policor kishte kryer veprime të kundërligjshme.
“IPK në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë ka filluar një hetim ndaj zyrtarit të dyshuar për veprën penale “Ngacmim seksual“ ndaj një viktime të mitur”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Ai është ndaluar për 48 orë.
“Hetuesit në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore ku pas këtyre veprimeve fillestare hetimore zyrtari policor është arrestuar dje kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Ky nuk është rasti i vetëm i përfshirjes së zyrtarëve policor në pedofili. Insajderi vite më parë kishte raportua ekskluzivisht për një rast të ngjashëm. Polici Vesel Veseli kishte abuzuar seksualisht me një të mitur në komunën e Drenasit.
Insajderi raporti edhe një rast tjetër ku një ish zyrtar policor që kishte shërbyer në Shtime, pasi është larguar nga policia ka abuzuar seksualisht me një 14 vjeçare për një vit.