Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se ka mbërritur në Washington.
Ai ka thënë se ka zhvilluar “një takim produktiv” me emisarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, me të cilin tha se “është zhytur në diskutime të thella”.
Për vizitën e Lajçak ka njoftuar dje edhe Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, James O’Brien.
“Zëvendës Ndihmës Sekretari Gabriel Escobar dhe unë planifikojmë të mirëpresim Miroslav Lajçak më vonë këtë javë për të koordinuar mbështetjen SHBA-BE për Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar dje O’Brien në X.
Dy emisarët Escobar dhe Lajçak që kanë mbuluar Ballkanin Perëndimor me postet e tyre kanë qenë aktivisht të angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi duke ia dalë t’i bindin palët që t’i pranojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe Aneksin e Ohrit, të cilat megjithatë po hasin në vështirësi në zbatim.
DASH ka konfirmuar se Escobar pritet të marrë një pozitë të re ndërsa Lajçak është nominuar për Ambasador të BE-së në Zvicër.