1.5 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Kosova 19 pozita më keq në lirinë e medias, “arsyetohet” zëdhënësi i Qeverisë

Indeksi vjetor i lirisë së medias nga Reporterët Pa Kufij (RSF), Kosovën sivjet e ka renditur si vendin e 75-të në botë, apo 19 vende më poshtë sesa vitin e kaluar që ishte e 56-ta.

E për këtë, qeveria po thotë se ka kontribuuar situata në veri të vendit.

Zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu, ka thënë se renditja e sivjetme “nuk duhet të na dekurajoj sepse nuk ka qenë një vit i lehtë, sidomos në aspektin e sigurisë marrë parasysh ngjarjet në veri”.

Ai ka marrë për bazë dy aspekte të cilat i ka evidentuar RSF të cilat kanë kontribuuar në rënien e lirisë së shtypit në Kosovë – sulmet në veri dhe rastin e Klan Kosovës.

Për çështjen e parë, ai pati një kritikë ndaj raportit, pasi, siç u shpreh, “sulmet ndaj gazetareve e gazetarëve nga bandat kriminale të strukturave paralele të Serbisë në katër komunat në veri” përgjatë muajve maj-korrik 2023, “në raport qenkan përshkruar me një gjuhë neutrale: ‘sulmet ndaj gazetarëve janë rritur gjatë tensioneve politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit’”.

Ndërkaq, për çështjen e dytë, për rastin e televizionit Klan Kosova, zëdhënësi i Qeverisë nuk e konsideron si çështje të rëndë tentimin e pushtetit për mbylljen e tij.

“Sa i përket çështjes së Klan Kosovës sh.p.k, aty është evidentuar një shkelje ligjore. Pas denoncimit publik, Klan Kosova sh.p.k ka përmirësuar të dhënat në regjistrim, duke pranuar kështu që faktikisht ka pasur shkelje gjatë regjistrimit fillestar. Ndryshe nuk kishte pse t’i përmirësonte”.

“Edhe këtu, mediat kanë pasur një rol kyç në denoncimin publik të rastit, duke kontribuar edhe këtu në respektimin e kushtetutshmërisë”, tha zëdhënësi i Qeverisë.

Për situatën në veri, Perparim Kryeziu tha se Polica e ka bërë të mirën e mundshme që të ofrojë siguri për të gjithë.

“Veriu i rrezikshëm ka qenë edhe për vetë Policinë e Kosovës. Një vit pas, atje ka më shumë siguri për raportim të mediave nga terreni se që ka pasur në të kaluarën. Ky nuk është sukses vetëm i institucioneve të sigurisë, por edhe i gazetarëve e gazetareve dhe mediave që përmes raportimeve të tyre të guximshme e shpalosën të vërtetën e ngjarjeve të majit dhe qershorit – duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në mbrojtjen e kushtetutshmërisë”, potencoi zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu.

Ndërkaq, Kryeziu nuk e përmendi fare rastin e emërimit të aktivistit të partisë në pushtet, Rilind Gërvallës, drejtor të RTK-së.

“Kanali më i madh televiziv, Klan Kosova, i është nënshtruar ngacmimeve administrative nga qeveria, e cila gjithashtu kishte kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik RTK me zgjedhjen e një aleati të ngushtë të partisë në pushtet si drejtor”, thotë raporti i RSF. 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img