Organizatat e shoqërisë civile INPO, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Lëvizja Fol (tutje OShC-të) kanë reaguar ndaj emërimit të një anëtari të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).
Kjo për faktin se, sipas tyre, qeveria ka injoruar institucionin e konkursit dhe ka kufizuar të drejtat e profesionistëve të interesuar që nëpërmjet mundësive të barabarta të aplikojnë për të qenë pjesë e këtij institucioni.
Në këtë mënyrë, OShC-të thonë se “Qeveria po ndërton praktika të mbrapshta dhe të dëmshme të emërimit të personave politik në institucione të pavarura, duke shkelur parimet e transparencës, meritokracisë, qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, pa aplikuar procedurat e rekrutimit përmes një konkursi të hapur dhe transparent, i ka propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, dy (2) kandidatë për pozitën e një (1) anëtari të bordit të OShP-së, më ç’rast Kuvendi në seancën e fundit plenare, votoi znj. Batisha Ibrahimi për anëtare”.
“OShC-të i gëzon fakti që Bordi prej tre (3) anëtarëve aktualë është plotësuar edhe me një (1) anëtar, pas mungesës shumë mujore të përbërjes së plotë prej pesë (5) anëtarëve, që ka penguar në mënyrë serioze funksionimin efikas dhe efektiv të Bordit të OShP-së. Megjithatë, OShC-të shprehin shqetësimin për mosgatishmërinë e Qeverisë që përzgjedhjen e anëtarit të bordit të OShP-së ta bëjë pa aplikuar procedura transparente dhe të hapura të rekrutimit, të cilat nuk sigurojnë konkurrencë dhe cenojnë të drejtat e të interesuarve të tjerë”.
OShC-të e pranojnë se ligji i aplikueshëm për prokurimin publik në Kosovë nuk e përcakton në mënyrë eksplicite institutin e konkursit gjatë përzgjedhjes së kryetarit dhe anëtarëve të Bordit të OShP-së, megjithatë thonë se që nga viti 2019 është ndërtuar “praktikë e mirë e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të OSHP-së përmes konkursit të hapur dhe transparent”.
Më tej, në reagim këto OJQ thonë se në konkursin e fundit për përzgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të OShP-së, të shpallur nga kjo Qeveri, kanë konkurruar gjithsej 25 kandidatë.
“Mirëpo, vetëm tre (3) nga konkurrentët ishin rekomanduar për votim, ndërkohë dy (2) kandidatët tjerë ishin propozuar dhe zgjedhur pa iu nënshtruar konkursit fare. Këta dy anëtarë, kujtojmë se kanë dhënë dorëheqje nga pozita e tyre në kohën kur OShP-ja përballej me sfida të mëdha dhe me numër të madh të lëndëve në shqyrtim”.
Tutje, OShC-të vlerësojnë se përzgjedhja e disa anëtarëve me konkurs e disa të tjerëve pa konkurs në bordet e pavarura, “përçon mesazhin e mbrapshtë tek publiku dhe qytetarët në përgjithësi, ku ata apo ato që janë zgjedhur pa konkurs arsyeshëm mund të perceptohen si persona të lidhur me pushtetin dhe politikën”.
Andaj, OShC-të i bënë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që të sigurohen se përzgjedhja e personave në pozitave larta, sidomos në institucionet e pavarura, të përcillet me proceduara të hapura dhe transparente, duke siguruar konkurrueshmëri dhe meritokraci në proces si dhe mundësi të barabarta për të gjithë profesionistët e fushës përkatëse.