Paraditen e sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar fillimin e punimeve të zgjerimit të Rrugës Nacionale N-9, segmenti Kijevë-Dollc.
Derisa lloti i parë i këtij segmenti rrugor është në ri-tenderim, bëhet e ditur se Kurti gjatë njoftimit me punëkryesin e mbikëqyrësin e punëve të kryera, u shpreh i lumtur për inaugurimin e lloteve 2, 3 dhe 4, me gjatësi afër 11 kilometra, në vlerë të përgjithshme prej më pak se 21 milionë euro.
Ai i uroi punë të mbarë pronarit, menaxherëve dhe punëtorëve për punën e përbashkët për një arterie tejet të rëndësishme infrastrukturore, që e lidhë kryeqytetin me pjesën perëndimore të Republikës tonë, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.
Ndërkaq ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, u deklarua se për projektet që po zhvillohen brenda këtij mandati, po iu kushtohet rëndësi cilësisë së projektimeve që në fazën e dizajnimit, në fazën e realizimit të punimeve, si dhe çështjeve që i përkasin shpronësimeve në kohë.
Ndërkaq, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, u shpreh i bindur për realizimin efikas të tre lloteve të këtij segmenti rrugor.