Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Të dyshuarit për këto ngjarje të trishta që po përfundojnë edhe tragjikisht, në shumicën e rasteve janë djemtë dhe burrat.
Kështu po dyshohet se ka ndodhur edhe mbrëmë në një familje në Ferizaj dhe këtë herë rasti u denoncua nga një person që nuk ndodhej fare në Kosovë.
Sinjali mëson se një mërgimtar nga Anglia vendosi ta raportojë në Policinë e Kosovës vëllain e tij, si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj familjarëve të tyre.
Si rezultat i raportimit, Policia e ka arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor, por nuk është intervistuar pasi ka qenë nën ndikimin e alkoolit.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale ‘Dhunë në familje’.