Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Bëhet e ditur se në takim u fol për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në prag të votimit nga Asambleja Parlamentare e kësaj organizate.
“Presidentja Osmani vuri theksin tek rëndësia e këtij anëtarësimit të Kosovës për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në këtë drejtim, ndërsa ritheksoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetje në këtë momentum të rëndësishëm për shtetin tonë dhe qytetarët tanë”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Nga 15 deri më 19 prill do të mbahet sesioni pranveror i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg të Francës, ku sipas Këshillit të Evropës, votimi në sesionin e Asamblesë Parlamentare për Kosovën do të mbahet më 16 prill.
Më 27 mars ka kaluar pika e Raportimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në takimin që është mbajtur në Paris të Francës të Komitetit për Politikë të Jashtme dhe Demokraci.