Tri javë pas vizitës së fundit në Kosovë, emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka ardhur në një tjetër vizitë të paparalajmëruar në Prishtinë.
Zhvillimet e fundit në veri thotë se e sollën sërish këtu, derisa për to dhe Asociacionin, i dërguari i kancelarit gjerman për Ballkanin Perëndimor, ka diskutuar me gazetarë të enjten.
Në pyetjen lidhur me pikën 39 të raportit të Dora Bakoyanis, ku lexohet qartë çështja e hapave drejt Asociacionit, Sarrazin tha se Gjermania s’ka marrë ende pozicion për këtë.
“Gjermania ende s’e ka një qëndrim final për këtë”, tha ai.
Por, Sarrazin e dha për fakt të kryer se për Kosovën s’ka anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) pa e zgjidhur çështjen e formimit të Asociacionit.
“Moszgjidhja e Asociacionit nuk do t’ju çojë në BE dhe NATO”, tha Sarrazin në përgjigje ndaj pyetjes së Nacionales.
“Ju mund të mbështeteni te ne që Gjermania kurrë s’do të mbështesë asnjë model të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës, që do të krijonte situata ku shteti s’do të mundte të kryente punë, që do të krijonte veto që do të ishin problematike në veçanti kur një ditë të jeni anëtare të BE-së; neve na duhen shtete që janë në gjendje për këtë, pra mund të mbështeteni te ne këtë”.