Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Bashkim Jashari priti sot në takim lamtumirës nënkolonelin Franz-Josef Nolte, Atashe i Republikës Federale të Gjermanisë i akredituar në Kosovë që nga viti 2021.
Në këtë takim morri pjesë edhe atasheu rezident i sapoemëruar i Republikës Federale të Gjermanisë për Kosovë, nënkoloneli, Oliver Palkowitsch.
Kështu bëri të ditur Forca e Sigurisë së Kosovës, përmes një postimi në Facebook.
“KOMFSK falënderoi Nënkolonelin Nolte, i cili gjatë shërbimit të tij si atashe arriti që të shtyjë përpara shumë projekte, stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta. Gjatë periudhës 2021-2024 ai ndër shumë arritje të tjera, gjithashtu arriti të koordinojë vijimin e shkollimeve për pjesëtarët e FSK-së në Republikën Federale të Gjermanisë, organizimin e trajnimeve në Kosovë, donacionet e forcave të armatosura të Gjermanisë për FSK-në, si dhe shumë aktivitete tjera bilaterale”.
Në fund të takimit, Jashari dekoroi nënkolonelin Nolte me mirënjohje për përkushtimin, angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme për Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke kontribuar kështu në thellimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.