Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kritikuar aleatët e Kosovës për qasjen që po ndjekin ndaj Serbisë.
Ai ka vlerësuar se nuk e befason sjellje e Serbisë ndaj Kosovës.
Në një intervistë për A2 CNN, Sveçla ka thënë se befasuese është sjellja e BE-së ndaj Serbisë.
Sipas tij, hezitimet e qarqeve të caktuara të BE-së ndaj Serbisë i kanë dhënë kah kësaj të fundit për sulmin në Banjskë në shtator të vitit të kaluar.
“Serbia është mësuar që të luajë rolin e viktimës qoftë dhe në rastin e Banjskës. Për mua si dikush që është rrit në Kosovë, por dhe që kam qenë në realitetin politik të saj, sjellja e Serbisë nuk është e befasishme. Befasuese është sjellja e qarqeve të ndryshme në Bashkimin Evropian. Sot dëgjova një deklaratë të zv/kryetares së PE e cila shprehte kundërshtinë e saj ndaj qasjes së pabalancuar, të padrejtë të BE, ku struktura ekstremiste të Serbisë sulmuan KFOR. Dhe në vend që Serbia të dënohej, iu vunë sanksione Kosovës. Dhe prandaj ndodhi dhe sulmi i Banjskës, pasi u toleruan disa ngjarje të mëparshme si rrëmbimi i policëve të Kosovës apo sulmet ndaj KFOR në veri. Ishte një sulm serioz 3 pjesëtarë të KFOR humbën gjymtyrët, dihet kush e dhanë urdhrin”, ka deklaruar Sveçla.