Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka takuar homologun e tij të Republikës Sërpska, Milorad Dodik.
Vuçiq dhe Dodik folën për atë që e quajtën si “Kuvendi i madh i Pashkëve i Serbisë dhe Republikës Sërpska”, për të cilin tha se përgatitjet po shkojnë mirë.
“Përgatitjet për kuvendin e madh të Pashkëve po shkojnë mirë dhe kam besim se deri atëherë do të përgatisim një sërë vendimesh të rëndësishme dhe të dobishme për popullin tonë”, shkroi Vuçiq.
Ditë më parë, Vuçiq u takua me Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Profirije dhe Dodikun, ku u bë e ditur se në këtë “kuvend do të merren vendime të rëndësishme për mbijetesën e kombit serb, përparim ekonomik, ruajtjen e gjuhës serbe dhe shkrimit cirilik dhe të trashëgimisë së përbashkët kulturore”.
Milorad Dodik është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi akuzohet se drejtëpërdrejt apo në mënyrë të tërthortë ka shkelur, penguar apo kërcënuar që Marrëveshja e Dejtonit të mos zbatohej, por akuzohet edhe për përfshirje në aktivitete korruptive.