Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, ka thënë se të vetmit që përfitojnë nga mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, janë kriminelët.
Këtë deklaratë, presidentja e bëri pas takimit me Ndihmës Sekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-ve, Todd D. Robinson.
Ajo tha se e ka informuar Robinson-in për synimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL.
“Anëtarësim i cili do të jetë i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve. Ky anëtarësim do të kontribuonte thelbësisht në rritjen e kapaciteteve tona duke përmirësuar përgjgjen tonë Institucionale ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të sigurisë publike. Të vetmit që përfitojnë nga mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, janë kriminelët, në veçanti grupet kriminale transnacionale. Është dëshirë e Kosovës dhe SHBA-ve që ata t’i luftojmë deri në fund”, u shpreh kryetarja e shtetit, njofton Klankosova.tv.
Më tej, Osmani tha se Kosova është thellësisht mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme që Byroja Ndërkombëtare për Narkotikë e udhëhequr nga Robinson, i ka ofruar Institucioneve të Kosovës përgjatë viteve.
“Mbështetja e SHBA-ve për Kosovën ka qenë prezente në çdo sektor strategjik dhe në çdo hap të procesit të shtetndërimit tonë, e në këtë drejtim edhe mbështetja që kemi pranuar nga Byroja që udhëhiqet nga Robinson shquhet për kohëzgjatjen dinamike dhe shumëllojshmërinë e asistencës përmes së cilës janë themeluar dhe fuqizuar mekanizmat tanë kryesor për sundimin e ligjit në Kosovë”, tha presidentja