1.6 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Nga çështja e dinarit serb deri tek marrëveshja e Ohrit – krejt çka tha sot Osmani para gazetarëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se çështja e dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se tashmë ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje.

Sipas saj, ideale do të ishte nëse do të arrihej një marrëveshje për të në Bruksel, më 19 mars, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Ajo ka thënë se është shumë pozitive “që komuniteti ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara pajtohen që mos të ketë qarkullim të dinarit në Kosovë”.

“Me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje ato dërgesa, ajo ndihmë financiare që vjen nga Serbia, të arrijë në euro dhe jo në dinarë, dhe kjo besoj që e zgjidh një pjesë të madhe të problemit me të cilin jemi ballafaquar në të kaluarën”, ka thënë Osmani në një konferencë për media, pas një vizite në qytetin e Lipjanit.

Sa i përket pjesës së dytë të propozimit, ajo ka thënë se janë duke u shqyrtuar mënyra për të garantuar që ndihma që niset prej Serbisë për komunitetin serb në Kosovë të mos keqpërdoret.

“Të mos shkojë në duart e personave që kanë abuzuar, që janë korruptuar dhe i kanë marrë paratë kinse në emër të qytetarëve, por i kanë shfrytëzuar për krim të organizuar. Për atë pjesë është duke u hartuar një plan që do t’i përfshijë autoritetet e Kosovës”.

Osmani ka thënë se ka shpresa që shumë shpejt do të arrihet pajtueshmëri edhe për pikën e dytë.

“Është urgjente që kjo çështje të zgjidhet, sepse jo vetëm që u ndihmon qytetarëve që t’i tejkalojnë disa prej sfidave me të cilat ballafaqohen, por në të njëjtën kohë, të jemi shumë të sinqertë, Kosova ka probleme më të mëdha, ndër të tjera probleme të sigurisë”, ka thënë Osmani, duke përmendur në veçanti nevojën e sigurimit të kufirit me Serbinë, e cila, sipas saj, analizon vazhdimisht mënyra për ta sulmuar Kosovën.

Prej 1 shkurtit, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nisur të zbatojë një rregullore të re, e cila përcakton që euroja është valuta e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Kështu është pamundësuar përdorimi i dinarit.

Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë dhe ua nis atyre pagat, pensionet dhe ndihmën shtesë në valutën e vet, dinarin.

Komuniteti ndërkombëtar i ka reaguar ashpër Kosovës për zbatim të rregullores, duke thënë se nevojitet një plan i qartë që nuk dëmton komunitetin serb, dhe se afati për zbatimin e saj ka qenë shumë i shkurtër.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka thënë më 15 mars Radios Evropa e Lirë se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që ta pezullojë vendimin për ndalimin e monedhës serbe në Kosovë, derisa Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

Partneriteti me SHBA-në

Zyrtarët amerikanë e kanë përsëritur disa herë ditëve të fundit se kanë probleme në komunikim me Qeverinë e Kosovës, për shkak të mungesës së koordinimit.

E pyetur për qasjen e Qeverisë ndaj SHBA-së, Osmani ka thënë se mund të deklarohet vetëm për qasjen e saj si presidente me të gjitha institucionet brenda vendit, si dhe me partnerët ndërkombëtarë.

“Republika e Kosovës është shtet që ka lindur për shkak të sakrificës së popullit të Kosovës, luftës sonë çlirimtare, rezistencës shumëvjeçare dhe përkrahjes historike që kemi marrë nga aleatët… ne këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë, sepse nuk ka qenë përkrahje e njëhershme, pra vetëm më 1999, por çdo hap përpara që Kosova e bërë, e ka bërë bashkë me aleatët euroatlantikë”.

Ajo ka thënë se punët e mëdha dhe të mira Kosova i ka bërë vazhdimisht me aleatët dhe një qasje e tillë duhet të vazhdojë.

Për Marrëveshjen e Ohrit

Përgjatë konferencës për media, Osmani është pyetur edhe për mungesën e zbatimit të marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, një vit më parë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Atëbotë, palët janë pajtuar për aneksin e zbatimit të një Marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën palët janë marrë vesh, në shkurt të po atij viti.

Osmani ka thënë se duhet të analizohen veprimet e palëve në terren, “për të ardhur te një përfundim komplet objektiv”.

“Serbia e ka shkelur me dhjetëra herë këtë marrëveshje, e cila qartë i kërkon që të mos e shkelë integritetin territorial të Kosovës, që ta njohë subjektivitetin ndërkombëtar dhe parimin e barazisë së palëve, që të mos votojë kundër Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, që të mos përdorë dhunë në marrëdhëniet ndërshtetërore, e shumë e shumë parime tjera”.

Ajo ka thënë se në Bruksel është duke u hartuar tani një plan i zbatimit të marrëveshjes, pasi deri më tani nuk ka pasur pajtim të plotë të palëve, dhe se ajo vetë, si presidente, nuk është pajtuar me një plan të prezantuar prej zyrtarëve të Brukselit, meqë sipas saj, ishte paraparë që Serbia të përfitonte në fillim të zbatimit të planit, ndërsa Kosova në fund.

“Kërkoj trajtim të barabartë të palëve, që plani sekuencues i zbatimit të ketë parasysh që si Kosova, si Serbia t’i zbatojnë në mënyrë paralele obligimet e tyre, dhe jo që njëra palë t’i ketë të gjitha përfitimet në fillim, e pastaj për Kosovën të mendohet krejt në fund”.

Kosova dhe Serbia dialogojnë në Bruksel – me ndërmjetësim të bllokut evropian – qysh më 2011.

Palët kanë arritur një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Kryediplomati evropian, Josep Borrell ka përsëritur të hënën se dy vendeve do t’iu ushtrohet presion ndërkombëtar për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura deri më tani.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img