Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka komentuar deklaratat e emisarit special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se ka shumë zhgënjim me Qeverinë Kurti, jo vetëm në Uashington por edhe në Bruksel, Romë, Berlin e Paris.
Haziri tha se deklarata e Escobarit ka zbardhur pikën më të ulët të raporteve që ka sot Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti, me qeverinë amerikane, NATO-n, BE-në dhe me fqinjët e saj.
“Qeveri jo-kompetente, e cila nuk planifikon efektet e vendimit të saj. Në një vend demokratik, nëse qeveria nuk bie me dorëheqje, bie në forma të tjera”, shkroi Haziri.
Escobar gjatë ditës në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka folur edhe më për marrëdhëniet që administrata amerikane i ka me Qeverinë Kurti, duke potencuar faktin se tash e tri vjet s’ka asnjë takim të nivelit të lartë me askënd prej qeverisë me administratën Biden.
“Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane. Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia”, tha Escobar.