Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur agresive Serbinë, duke shtuar se kjo e bën Kosovën më të kujdesshme, por jo të frikësuar. Lidhur me paralajmërimet e inteligjencës amerikane se Ballkani Perëndimor do të përballet me një rrezik të shtuar të dhunës ndëretnike, Kurti ka theksuar se dallimi etnik s’shkakton konflikt, por autokracia në Beograd e lidhur me despotin në Moskë
Ai ka thënë se është i vetëdijshëm për rrezikun e sigurisë në Ballkan, por ka shtuar se këtë e di më mirë ShBA-ja.
Ballkani Perëndimor mbase do të përballet me një rrezik të shtuar të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024, posaçërisht në Bosnjë e Hercegovinë, ku lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, synon shkëputjen de facto të Republikës Sërpska, dhe në Kosovë ku tensionet u rritën skajshëm vitin e kaluar.
Kështu thuhet nga komunitetit i inteligjencës amerikane në një raport të vlerësimit vjetor të kërcënimit në botë.
Në fjalën e tij pas inaugurimit të Qendrës Trajnuese për Siguri Kibernetike në Kosovë, kryeministri Kurti ka thënë se, përkundër sfidave nga fqinji verior, ata janë të vendosur të jenë të kujdesshëm dhe të mos frikësohen.
“Nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikt, por është autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotin në Moskë. Ne kemi paralajmëruar kaherë që shtetet jodemokratike edhe në rajonin tonë, jo vetëm në lindje të Evropës, janë në rrezik për sigurinë dhe paqen, por natyrisht që këtë gjë hollësisht dhe thellësisht sikurse SHBA nuk mund ta di askush. Ajo çfarë bëjmë ne është që ne përgatitemi maksimalisht atë çka mundemi dhe dimë, andaj përuruam këtë Qendër Shtetërore për Siguri Kibernetike për trajnime të cilat do të merren dhe do të ofrohen aty”, ka deklaruar Kurti.
“Ne e kemi pasë të qartë që fqinji jonë verior është agresiv, është nevrik, mirëpo kjo na bën të kujdesshëm, assesi të frikësuar”, ka shtuar Kurti.