-1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Përzgjedhja e Kryeprokurorit mund të përfundojë tek Avokati i Popullit

Ka gati dy vjet që pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës e mban një ushtrues detyre.

Me gjithë thirrjet e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare – të fundit më 2 mars – për ta emëruar atë, nuk ka ende asgjë konkrete.

Çështja është shndërruar tashmë në një betejë të dukshme mes Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Kjo e fundit nuk e dekretoi Blerim Isufajn në pozitën në fjalë, në tetor të vitit të kaluar, duke thënë se ka pasur disa shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes së tij.

KPK-ja e kishte propozuar emrin e tij qysh në prill të vitit 2022.

Tani, gati pesë muaj pas mosdekretimit të Isufajt, KPK-ja paralajmëron mundësinë e dërgimit të çështjes tek Avokati i Popullit.

“Kjo çështje do të shqyrtohet në njërin nga takimet e radhës së KPK-së dhe do t’ju mbajmë të informuar në kohë reale për hapat e mëtejshëm”, tha Bedri Gashi, udhëheqës i Njësisë për Komunikim Publik pranë KPK-së, për Radion Evropa e Lirë, më 8 mars.

Petrit Çollaku, zyrtar për komunikim tek Avokati i Popullit, i tha REL-it të hënën se, deri më tash, ky institucion nuk ka pranuar ndonjë ankesë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës lidhur me mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Në rast se pranohet një kërkesë e tillë, padyshim se e njëjta do të trajtohet në përputhje me mandatin që ka Avokati i Popullit dhe në bazë të legjislacionit në fuqi”, tha ai në përgjigjen me shkrim.

REL-i kërkoi koment edhe nga Presidenca e Kosovës për këtë temë, por ajo nuk u përgjigj.

Pse nuk u dekretua Isufaj?
Disa nga shkeljet që u evidentuan nga Presidenca e Kosovës gjatë procedurës për përzgjedhjen e Kryeprokurorit ishin:

Shmangia nga zbatimi i kritereve ligjore në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të shtetit;

Mohimi i mundësisë për mjet ankimor efektiv brenda KPK-së për kandidatët e pakënaqur përmes propozimit arbitrar të raportit të komisionit për rishqyrtim të kundërshtimeve;

Shkelje në procedurat e vlerësimit të reputacionit profesional të kandidatëve;

Shkelje në procedurat e vlerësimit të integritetit të kandidatëve;

Shkelje në procedurat e vlerësimit të koncept-dokumentit dhe prezantimit të tij nga kandidatët, e të tjera.

KPK-ja, atëkohë, i cilësoi si të pabaza këto arsye dhe tha se janë “jashtëzakonisht tendencioze”.

Si komentojnë ekspertët?
Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë se dërgimi i çështjes tek Avokati i Popullit do të ishte një hap i mirë për ta sqaruar përfundimisht atë.

“Besoj se Avokati i Popullit, pas pranimit të kërkesës së KPK-së, mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim, nëse vendimi i presidentes për mosdekretim është jokushtetues dhe nëse i cenon kompetencat e KPK-së si organ i pavarur kushtetues”, thotë Bugaqku.

Ai sqaron se Avokati i Popullit, sipas Kushtetutës, ka të drejtë që ta kontestojë në Gjykatë Kushtetuese çdo ligj, akt apo dekret të presidentes apo Qeverisë, nëse vlerëson se akti i tillë cenon Kushtetutën e Kosovës.

Por, shton Bugaqku, me dërgimin tek Avokati i Popullit, e me gjasë edhe në Gjykatën Kushtetuese, procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit do të zvarritej edhe më shumë.

“Procesi tashmë është i prolonguar dhe ka marrë kohë gati dy vjet. Kështu që ndjekja e një rruge të tillë – ndonëse do ta zvarriste këtë proces, sepse Gjykata [Kushtetuese] mund të vonojë në dhënien e përgjigjes – prapëseprapë do të ishte një hap që do të mund t’i jepte zgjidhje këtij procesi”, thotë Bugaqku.

Ndryshe prej tij mendon Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Ai thotë se Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk duhet t’i drejtohet Avokatit të Popullit për këtë çështje, pasi që, sipas tij, një gjë e tillë do të shkaktonte edhe më shumë vonesa.

“KPK- ja mund ta prolongojë sa të dojë këtë proces, por, sigurisht, kjo nuk u shërben parimeve të sundimit të ligjit, nuk i shërben integritetit të sistemit prokurorial. Në këtë drejtim, unë e shoh që kjo e zgjat procesin, por nuk rregullon diçka”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Për të dalë nga kjo situatë, thotë ai, “duhet të shpallet një konkurs i ri, një proces i bazuar në meritokraci, një proces i paanshëm, i pavarur, në mënyrë që kandidati që propozohet, të dekretohet nga presidenti i Republikës”.

Në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, ishin edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Tri organizata joqeveritare – Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja Fol dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike – të cilat i monitoruan procedurat e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit nga KPK-ja, vlerësuan se procesi ka pasur të meta të shumta.

Sipas tyre, paneli vlerësues i kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë të pabazuar “duke cenuar meritokracinë e procesit”.

SHBA-ja e kritikoi, po ashtu, procesin e KPK-së, sikurse edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Kryeprokurori i Shtetit është pozitë e rëndësishme në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Ky post ka një mandat prej shtatë vjetësh.

Mandati i Kryeprokurorit paraprak, Aleksandër Lumezi, skadoi në prill të vitit 2022.

Aktualisht, ushtrues i kësaj detyre është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit./Radio Evropa e Lirë

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img