Vaji i ullirit është produkti më i vjedhur në dyqanet spanjolle, sipas disa shifrave të reja.
Vjedhja e këtij lloj produkti vjen pas rritjes së çmimeve të tij gjatë vitit të kaluar shkaku i thatësirës përvëluese që goditi të korrurat.
Bëhet e ditur se bandat kriminale po e vjedhin vajin për ta rishitur më pas me çmim edhe më të lartë, ka njoftuar Ruben Navarro, kreu i zinxhirit të dyqaneve Tu Super, i cili udhëheq 30 dyqane në rajonin e Andalucisë së Spanjës.
Një litër vaj ulliri i cili katër vjet më parë kushtonte më pak se 5 euro, tani kushton 14 euro, shkruan skynews.
Ndryshe, Spanja është prodhuesi më i madh i vajit të ullirit.
Për të parandaluar vjedhjet, dyqanet kanë lidhur me zinxhir shishet e mëdha të vajit, dhe i kanë mbyllur ato në rafte. Dhe në disa dyqane, shishet janë të pajisura me etiketa sigurie që duhet të hiqen nga stafi. Por thuhet se etiketat e sigurisë po thyhen nga hajdutët me anë të pajisjeve magnetike.
Sipas drejtorit të marketingut të kompanisë së sigurisë, STC, Alejandro Alegre, është e pazakontë që ky artikull ushqimor thelbësor të jetë aq lart në listën e produkteve të vjedhura.