-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Zyrtarët amerikanë vazhdojnë të jenë të ashpër me Qeverinë, Kurti thotë se “s’është e vërtetë që po bën dëm”

Kohët e fundit, zyrtarët amerikanë i kanë shpeshtuar daljet dhe deklaratat publike me kritika ndaj Qeverisë pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës. Nga SHBA kanë thënë se vendimi u mor pa u koordinuar me ta dhe se i njëjti ka cenuar raportet mes dy shteteve.

Kah fundi i shkurtit, i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka kritikuar ashpër Qeverinë, duke thënë se deklaratat e bëra nga zyrtarët e SHBA-së në mënyrë publike flasin mjaftueshëm qartë se ku po shkojnë raportet diplomatike dhe politike në mes të dyja vendeve.

Ai tutje ka thënë se SHBA-ja është mjaft e shqetësuar meqë Qeveria e Albin Kurtit nuk po i trajton si partnerë dhe se s’po punon me SHBA-në për stabilitet të rajonit duke minuar kështu procesin e dialogut, proces për të cilin SHBA është shumë e përkushtuar.

“Nuk dua të hyj në të gjitha pasojat, por mendoj se deklaratat tona në publik flasin mjaft qartë se ku po shkojnë marrëdhëniet tona diplomatike dhe politike. Jemi shumë të shqetësuar sepse qeveria e Kosovës nuk na trajton si partner, nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun – për të cilin SHBA-të janë plotësisht të përkushtuara”, deklaroi ai.

Escobar ka thënë se sa herë flasin për Kosovën me shtetet tjera, veçanërisht ato që s’e njohin ende pavarësinë e saj, e shohin se Kosova s’po përmbush obligimet e saj në dialog me Serbinë.

Mendoj se ambasadori (Jeffrey) Hovenier) e ka thënë më së miri – kjo e ndërlikon kapacitetin tonë për të ndihmuar Kosovën të integrohet në komunitetin transatlantik. Sa herë që flasim për Kosovën me partnerët tjerë, veçanërisht me ata që nuk e njohin, ata shohin se Kosova nuk i përmbush obligimet e saj në dialog nën ombrellën e BE-së, e cila përfaqëson të gjithë BE-në. Prandaj, na e vështirëson mbrojtjen e argumenteve të Kosovës në çfarëdo mënyre, përfshirë anëtarësimin në BE dhe NATO, Këshillin e Evropës dhe shumë organizata të tjera”, ka thënë ai.

Së fundmi, ndihmësadministratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Erin E. McKee qëndroi për dy ditë në Kosovë, por nuk pati një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Siç duket, McKee nuk deshi ta takojë Kurtin, pasi sipas ambasadës së SHBA-së, ajo e zgjodhi se me kë do të zhvillonte takim.

Ndryshe nga Kurti, McKee takoi presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Nuk dihet nëse vendimi i zyrtares amerikane për të mos e takuar Kurtin lidhet me frustrimin e SHBA-së që u potencua edhe nga ambasadori Jeff Hovenier.

Megjithatë, kryeministri Albin Kurti po insiston që raportet SHBA – Kosovë janë të mira. Para dy ditësh, ai është pyetur për marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe kritikat se po i dëm Kosovës.

“Kritikët dhe oponentët politikë po iu akuzojnë se po i bëni dëm të madh Kosovës duke i përkeqësuar raportet me ndërkombëtarët. Çfarë përgjigje keni?”, u pyet Kurti nga gazetarët.

“Nuk është e vërtetë”, u përgjigj shkurt Kurti.

Kujtojmë se ishte Ndihmës Sekretari Jim O’Brien, i cili në një intervistë për Zërin e Amerikës duke folur për refuzimin e kryeministrit të Kosovës për të dëgjuar thirrjen amerikane, kishte thënë se nëse Kurti nuk e trajton SHBA-në si partnere, të njëjtën qasje edhe Uashingtoni zyrtar do të ketë me të.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img