Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka mbaruar dëshminë dëshmitari i 48-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky dëshmitar u mor në pyetje nga ZPS-ja, mbrojtja e të akuzuarve, mbrojtja e viktimave dhe trupi gjykues nën masa mbrojtëse si dhe në sesion privat për publikun.
Gjatë kohës sa seanca ishte publike për pak kohë, dëshmitari tha se kur u lirua nga paraburgimi gjendja në Prizren ishte kaos dhe se gjuhej me armë pasi sipas tij kishte civilë të armatosur.
“Kur unë u lirova nga paraburgimi në qytet ishte kaos, gjuanin me armë. Futeshin nëpër dyqane me forcë e kontrollonin. Unë u fshihesha neper qoshe të rrugës dhe kisha fat që kisha veshur pantallona të zeza dhe ngatërrohesha me popullsinë dhe flisja shqip se ndryshe nuk kisha arritur të shkoja në shtëpi. Kishte civil të armatosur ato kohë”, tha dëshmitari.
“Kishte edhe automjete nga Shqipëria që erdhën, bërtisnin, qëllonin me armë. Me rroba civile kanë qenë”, tha ai.
Më pas, dëshmitarit iu paraqit një video për të cilën i njëjti pohoi se e përshkruan situatën e Prizrenit në mes të qershorit të 1999-tës e cila edhe u pranua në provat materiale, raporton Betimi për Drejtësi.
Ndryshe, seanca e radhës pritet të mbahet me 18 mars 2024.