Kanë përfunduar tri ndeshjet e para të javës së 20-të të Superligës së Kosovës në futboll, ku kampioni në fuqi Ballkani ka barazuar 2:2 me Feronikelin 74, Drita ka fituar minimalisht ndaj Lirisë dhe Gjilani e Prishtina kanë barazuar 1:1.
Për shkak se nesër festohet 16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, tri ndeshjet e para u zhvilluan sot (e premte) dhe jo si zakonisht të shtunën.
Ballkani – Feronikeli 74
Kampioni i Kosovës në dy vitet e fundit i ka hapur rrugë Llapit të Tahir Batatinës të afrohet në renditje, me barazimin e sotëm në shtëpi ndaj skuadrës drenicase.
Feronikeli ishte e para që kaloi në epërsi me golin e shënuar në minutën e 17-të, për 1:0.
Skuadra e Ilir Dajës u kthye në lojë, kur barazuan me Walid Hamidin në minutën e 31-të, por mysafirët shënuan në minutat shtesë të pjesës së parë, për të shkuar në pushim me epërsi prej një goli.
Krejt çfarë arriti Ballkani në këtë ndeshje ishte goli i barazimit 2:2 i shënuar në minutën e 50-të nga Vesel Limaj.
Suharekasit vazhdojnë në vendin e parë me 44 pikë, me Llapin që është larg shtatë pikë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Liria – Drita
Drita ka gjetur fitoren e parë në këtë pjesë të dytë të sezonit, pasi e filloi me humbje javën e kaluar ndaj Llapit.
Intelektualët e mposhtën vendin e fundit në tabelë, Lirinë, me rezultat minimal 1:0, por shumë e vlefshme për garën për titull.
Blerim Krasniqi ishte shënuesi i vetëm në këtë takim, kur shënoi për 1:0 në minutën e 52-të.
Drita me këtë fitore barazohet me Llapin e vendit të dytë, por këta të fundit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Gjilani – Prishtina
Ndeshja më kryesore e ditës së sotme ishte ajo mes Gjilanit e Prishtinës, e zhvilluar në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.
Prishtina që po lufton për një vend në Evropë, me shumë vështirësi mori një barazim ndaj një Gjilani që po vuan.
Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi pa gola, me dy golat e ndeshjes të shënuar në pjesë të dytë.
Ishte Jarovic që i dha epërsinë Gjilanit në minutën e 51-të.
Kryeqytetasit barazuan shtatë minuta para fundit, me golin e Ardian Limanit, ish-kapitenit të Dritës.
Me këtë gabim, Prishtina rrezikon vendin e katërt nga Malisheva, që në rast të fitores të dielën, do ta kalojë në renditje. Në anën tjetër Gjilani gjendet në zonën play-off, në rrezik për rënie nga elita kosovare.