Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit Jim O’Brien ka drejtuar fjalë të ashpra në adresë të Qeverisë së Kosovës rreth vendimit për dinarin. Diplomati amerikan ka kërkuar tërheqjen e vendimit derisa ka shfaqur pakënaqësi edhe me tranzicionin tre mujor të BQK-së që u shpall të hënën.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, O’Brien ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për dinarin, ka vënë në pikëpyetjet partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit ka zbuluar se ka folur disa herë me Kurtin rreth kësaj çështjeje duke lënë të kuptohet se ai s’i ka dëgjuar kërkesat. Ai ka thënë se kjo është qeverisje e dobët.
“Çështja është se çfarë problemi po synon të zgjidhë vendimi i ri. Është e drejtë e Kosovës të vendosë se çfarë valute po dërgohet në juridiksionin e saj. Asociacioni do ta zgjidhte këtë problem duke qartësuar çështjen e parave që dërgohen dhe qëllimet për të cilat do të përdoreshin. Ka mënyra tjera për ta siguruar këtë qartësi, përfshirë përmes dialogut, përmes konsultimeve joformale, ashtu si shtetet moderne u japin përgjigje këtyre çështjeve. Jo duke shpallur vendime në mes të natës pasi partnerët tuaj më të afërt ju thonë se kjo është ide e keqe dhe qeverisje e dobët”, ka theksuar diplomati.
“Ai kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere“, ka thënë O’Brien.
Sipas tij, në deklaratën e BQK-së nuk thuhet se do të lejohet përdorimi i dinarit, por se do të ofrohet një alternativë. E për këtë, O’Brien u shpreh se duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi.
“Njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat. Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do ta lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe ne. Pra jo, duhet ta ndërpresin menjëherë këtë dhe pastaj të punojmë drejt zgjidhjes së problemit konkret, që ata duan të zgjidhin, ashtu siç veprojnë shtetet moderne evropiane”, ka theksuar O’Brien.