Për vitin 2024, Komuna e Prishtinës ka vendosur fokusin edhe në rregullimin e rrugëve nëpër fshatra.
Sipas drejtorit të Investimeve Kapitale në Prishtinë, Krenar Xhaferi, në kryeqytet do të funksionojë gjithçka nëpërmjet Bashkësive Lokale të fshatrave.
Mirëpo për KIKS-in, ai theksoi se këto bashkësi patjetër që do të mbikëqyren nga ekipe të kësaj drejtorie që të mos prioritizohet rregullimi i rrugëve në bazë të interesave personale të fshatarëve.
Lidhur me ankesat e qytetarëve të Mramorit që KIKS Kosova raportoi, Xhaferi tha se për këtë fshat janë ndarë rregullime me zhavorr për 3000 metra rrugë dhe do të shpërndahen në bazë të nevojës.