9.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Thirrje të vazhdueshme për pezullim të vendimit të BQK-së, serbët protestojnë sot në veri – A do të zmbrapset Kurti?

Serbët lokalë në Mitrovicë të Veriut kanë paralajmëruar protestë sot, për të kundërshtuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e përdorimit të dinarit.

Protesta është paralajmëruar të fillojë në orën 12:00 nga pensionistë serbë, teksa pritet të bashkëngjitet edhe Lista Serbe.

Kjo protestë vjen një ditë pas adresimit të kryeministrit Albin Kurti, i cili i është drejtuar komunitetit serb në Kosovë, duke i thënë se rregullorja e BQK-së nuk ia ndalon Serbisë që t’iu ndihmojë atyre dhe Kosova nuk e ka ndaluar dinarin, ashtu sikurse asnjë valutë tjetër.

Ai i është referuar rregullores së BQK-së, që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, e cila parasheh që valuta e vetme për kryerje të transaksioneve me para të gatshme është euroja.

Për Kurtin, çdo interpretim tjetër i rregullores përbën fushatë mbi baza të rreme.

Teksa i është drejtuar komunitetit serb, ai ka përsëritur se rregullorja e BQK-së synon formalizim të pagesave.

“Pra, Kosova nuk e ndaloi dinarin, ashtu siç nuk e ndaloi as dollarin, as funtën dhe as frangun zviceran. I vetmi ndryshim është se nga 1 shkurti, paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë, siç nuk mund të bëhet në asnjë shtet demokratik, por mund të vijnë përmes llogarive bankare, të tërhequra në euro”.

Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.

Kurti u ka rikujtuar serbëve se do të mund të hapin llogari në euro, pa pagesë, dhe që një pjesë e serbëve veçse përfitojnë prej skemave sociale të shtetit të Kosovës.

“Çdo muaj, më shumë se 33.000 pjesëtarë të komunitetit serb marrin pensione nga Republika e Kosovës, 2.205 familje marrin ndihmë sociale, 4.244 familje marrin ndihmë për fëmijë dhe 1.372 familje marrin ndihmë për gratë lehona dhe nënat me fëmijë. Gjithçka përmes llogarisë bankare të hapur në euro”.

Edhe Kurti, sikurse zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislmi, ka thënë se do të ekzistojë një trazicion në këtë proces.

Faktori ndërkombëtar e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës pse nuk e ka shtyrë afatin për zbatim të rregullores së BQK-së, duke thënë se duhet më shumë kohë për adaptimin e komunitetit serb me vendimin.

Ditëve të fundit, BQK-ja e ka vendosur në dispozicion një linjë telefonike falas, që serbët të mund të informohen më shumë për rregulloren e re.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img