PrishtinaPress raportoi mbrëmë për një aksion të Antidrogës i zhvilluar të premten në disa lokacione në Gjilan, e cila rezultoi me sekuestrimin e mbi 2 kilogramë heroinë dhe marihuanë në një villë, teksa i dyshuari nuk është kapur dhe ndodhet në arrati.
I dyshuari që po kërkohet nga Policia është Alban Aliu, 25-vjeçar.
Përveç drogës, në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur edhe pesë armë e municion – rreth 250 fishekë.
Sipas informacioneve të para, Aliu qe një kohë dyshohet se merrej me shitjen dhe shpërndarjen e substancave narkotikë në Kosovë, por edhe jashtë vendit.
Droga është gjetur në villën e të dyshuarit në fshatin Shurdhan, teksa janë sekuestruar edhe disa vetura në pronësi të tij.
Hetimi lidhur me rastin do të vazhdojë nga Njësia e Antidrogës, teksa veprimet e tjera do të ndërmerren posa të kapet i dyshuari.
Lidhur me këtë aksion ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, ku ka dhënë detaje shtesë dhe ka publikuar fotografitë nga bastisja.
“Gjatë realizimit të urdhër kontrollit, i dyshuari nuk ka qenë prezent, por është njoftuar nga familjarët që të paraqitet në vendngjarje, i njëjti nuk i është përgjigjur ftesës zyrtarëve policore dhe ndodhet në arrati”.
“Lidhur me narkotikët, hetimet janë duke u zhvilluar nga DHTN-Gjilan ndërsa rastin për armët e sekuestruara janë duke u marruar njësitë tjera për shkak të kompetencave lëndore. Substancës se dyshuar narkotike iu është bërë testi fushor me që rast ka rezultuar pozitiv”, thuhet në njoftimin e policisë.
Bëhet e ditur se në lidhje me të gjitha veprimet e ndërmarra nga policia është njoftuar edhe Prokurorja e Shtetit.