Përfaqësuesi i Francës në Kombe të Bashkuara gjithashut është shprehur “i shqetësuar” me zbatimin me doemos të menjëhershëm të rregullores së re të BQK-së për ndalimin e valutës serbe duke kërkuar kohë të mjaftueshme kalimtare për komunitetin serb për t’u adaptuar me vendmin.
“Franca e rikujton nevojën për ta stabilizuar situatën në terren dhe për të punuar drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës. Të dyja palët duhet të abstenojnë nga çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund t’i rrisë tensionet. Në këtë pikë, Franca dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim serioz rreth veprimeve të fundit për valutën e Kosovës dhe operacionet e Policisë së Kosovës, duke çuar në mbylljen e institucioneve paralele të serbëve në jug dhe lindje të Kosovës”.
“Këto veprime do të kenë pasoja negative në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë, sidomos rreth qasjes në shërbime sociale. Franca e përsërit thirrjen e saj për pezullimin e menjëhershëm të këtij vendimi nga Banka Qendrore e Kosovës në mënyrë që të lejohet një periudhë e mjaftueshme tranzicioni. Deklarata e djeshme e kryeminsitrit Kurti, i cili pranoi nevojën për një periudhë tranzicioni, është një hap fillestar pozitiv, që duhet të pasqyrohet në vepër tani”, ka thënë ai,.
“Franca e riafirmon përkrahjen e saj për perspektivën e integrimit evropian për Serbinë dhe Kosovën. Askush nuk mund ta mohojë vullnetin sovran të të dyja vendeve për ta favorizuar zgjedhjen evropiane. Nuk ka alternativë, qoftë për Serbinë, qoftë për Kosovën, përpos që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre një herë e përgjithmonë”, tha mes tjerash ai.