Është arritur marrëveshja mes Komunës së Prishtinës dhe Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat në lidhje me kërkesat dhe nevojat e punëtorëve teknikë të prezantuara nga kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi.
Në takimin mes Azemit dhe nënkryetares së Kryeqytetit dhe U.D të Drejtores së Drejtorisë së Arsimit, Jehona Lushaku gjatë ditës, u tha se greva e këtyre punëtorëve do të ndërpritet.
Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, është vendosur që greva e punëtorëve të mirëmbajtjes të ndërpritet, duke lejuar që shkollat të funksionojnë normalisht dhe të sigurojnë një mjedis të sigurt dhe të pastër për nxënësit e kryeqytetit.
“Me urgjencë kam trajtuar çështjen e grevës së punëtorëve teknik në objektet shkollore të Kryeqytetit. Me këtë rast pas takimit me kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, z. Jusuf Azemi, u pajtuam për ndërpreje të grevës nga nesër meqë kërkesa e tyre është plotësuar. U dakorduam që të plotësohen kushtet e kërkuara, ku përfshihet rritja e pagave”, deklaroi nënkryetarja Lushaku.
Kjo rritje e pagave, sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës, është një përgjigje konkrete ndaj kërkesave të tyre dhe një shprehje e vlerësimit të punës së tyre të palodhur dhe të rëndësishme për mirëmbajtjen e ambienteve shkollore.
Sipas njoftimit, thuhet se kjo marrëveshje tregon përmirësimin e dialogut social dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet qeverisjes lokale dhe punëtorëve.