Në mungesë të kuorumit, ka dështuar mbledhja e parë e rregullt e Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Në këtë seancë, Lëvizja Vetëvendose pritej të hidhte në votim anulimin e vendimit të datës 21.12.2023 për këmbimin e pronës komunale në lagjen Prishtina e Re.
Në asamble nuk u paraqiten asamblistët nga LDK e as nga PDK.
Ndërkaq edhe ulëset e udhëheqësve të Komunës mbeten të zbrazura.
Në mungesë të kuorumit, kryesuesi Përllumb Bajqinovci mbylli seancën.
Shefi i grupit të asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, mbajti një konferencë për media në sallën e asamblesë duke kritikuar mospjesëmarrjen e pushtetit në seancë.
“Realisht kjo shpërfaqë mendësinë e këtij koalicioni qeverisës LDK-PDK. Prej orës 10:00 kemi ardhë në seancë e rregullt, mirëpo as LDK as PDK, as një prej drejtorëve të ekzekutivit nuk janë të pranishëm. Arsyeja është shumë e qartë. LVV do të propozojë anulimin e vendimit të seancës së datës 21.12 në lidhje me këmbimin e pronave” – tha Sveçla./kallxo/