Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në fshatin Dardhishtë të Obiliqit, pasi një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Martirët Halimaj’, ka ndalur për kontroll një veturë.
Gjatë kontrollit, tre të rinjtë janë kapur me cigare të mbështjellë me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, sasi tjetër të marihuanës dhe peshore për matjen e narkotikëve.
Gjësendet e kundërligjshme janë sekuestruar, ndërsa tre të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tyre është iniciuar rasti për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.