“CPI megjithatë thekson, se ky progres nuk është reflektuar edhe në performancën kundër korrupsionit. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë – përfshirë procesin e vettingut dhe ligjin e mbi Këshillin Prokurorial, po ecin me ritme shumë të ngadalta. Për më keq, ndërhyrjet e vazhdueshme të qeverisë në çështjet gjyqësore, shkarkimi i udhëheqësit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës, pasuar nga pengimi i hetimit parlamentar për rastin e dyshuar të korrupsionit për rezervat shtetërore nga deputetët e shumicës parlamentare, tregojnë që mungon vullneti politik për të hequr dorë nga kontrollimi i gjyqësorit dhe për të forcuar mbikëqyrjen e pavarur”, thuhet tutje në njoftim.
KDI shton se në përgjithësi, rezultatet e CPI 2023 tregojnë që shumica e vendeve të botës kanë bërë fare pak apo aspak progres në luftimin e korrupsionit në sektorin publik përgjatë dekadës së fundit.
“Për më tepër, mbi 2/3 e vendeve, përfshirë edhe Kosovën, vlerësohen me më pak se 50 pikë nga 100 pikët maksimale, indikator ky që tregon për prani serioze të problemeve me korrupsionin.
Madje, qytetarët e Kosovës bëjnë pjesë në 80%-shin e popullsisë botërore që jeton në një shtet që është nën mesataren globale prej 43 pikësh. Ekziston një trend global i dobësimit të sistemeve të drejtësisë, që ka reduktuar llogaridhënien e zyrtarëve publik, e për pasojë i ka mundësuar korrupsionit që të lulëzojë. Në mënyrë që të ndërpritet pandëshkueshmëria e korrupsionit, Transparency International vlerëson që qeveritë duhet t’i garantojnë pavarësinë, resurset dhe transparencën e nevojshme sistemeve të drejtësisë, në mënyrë që të gjitha rastet e korrupsionit të ndëshkohen dhe të garantohet kontrolli dhe balanci i pushteteve”, thuhet në njoftim.