Me rastin e Ditës Ndërkombëtare në Kujtim të Viktimave të Holokaustit, kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë luftës duke thënë se kjo tregon sa i fuqishëm mund të jetë vullneti i njerëzve për ta ruajtur njerëzoren edhe atëherë kur njerëzimi e arrin pikën e tij më të ulët.
Kurti, në një postim në Facebook, ka publikuar fotografi, ku shihet familja hebre Altarac e strehuar në Prishtinë mes dhjetëra hebrenjsh të tjerë më 1941-1942.
“Një relikte e ruajtur nga Jasha Altarac, një hebre 7-vjeçar i strehuar bashkë me familjen në Prishtinë dhe vende të tjera duke shpëtuar kështu nga Holokausti, është ky mindil i bardhë me simbolin kombëtar shqiptar të shqiponjës në të si dhe me mbishkrimin ‘Kujtim nga Shqipnia’”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se “Po kaq faqebardhë është historia e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët dhe si e tillë duhet kultivuar ‘Kujtimi nga Shqipnia’ dhe shqiptarët në historinë e trishtuar të Holokaustit”.