7.3 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Stoltenberg: Situata në Ballkan e brishtë, me potencial për tensione në Kosovë e Bosnje

NATO-ja beson se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është ende shumë e brishtë, dhe ka potencial për tensione në Kosovë dhe Bosnje – Hercegovinë.

Kështu ka thënë të premten prej Brukselit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur pas takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq.

Ballkani Perëndimor, forcimi i NATO-s, dhe përgatitjet për samitin e Uashingtonit, kanë qenë temat kryesore të këtij takimi, shkruan Rel.

“Situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet e brishtë. Dhuna që ka shpërthyer në Kosovë ishte e papranueshme. Kjo ka bërë që NATO-ja menjëherë të angazhojë forca shtesë në Kosovë“, ka thënë Stoltenberg.

Ai ka paralajmëruar se javën që vjen, Këshilli i Atlantikut të Veriut, trupi më i lartë politik i aleancës, do të vizitojë Bosnje – Hercegovinën, për të dëshmuar në këtë mënyrë edhe mbështetjen e parezervë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës.

Stoltenberg e ka falënderuar Malin e Zi për kontributin në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, por edhe për rolin konstruktiv për paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit.

Kryeministri i Malit të Zi, Spajiq, ka thënë se për vendin e tij, stabiliteti në Kosovë ka rëndësi të veçantë dhe, në rast nevoje Mali i Zi është i gatshëm për të rritur praninë e ushtarëve të saj në misionin e KFOR-it.

Spajiq ka thënë se Mali i Zi mbetet anëtar besnik i aleancës së NATO-s, dhe i përkushtuar për të avancuar në procesin e integrimeve në BE.

Ai ka thënë se për vitin 2024, Mali i Zi ka ndarë më shumë se 2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor për mbrojtje, që është në përputhje me kërkesat e NATO-s ndaj të gjitha vendeve anëtare.

Shefi i aleancës ka thënë se NATO-ja ka bashkëpunim të ngushtë me BE-në, kur janë në pyetje vendet e Ballkanit Perëndimor,

Ai e ka nënvizuar sidomos rëndësinë e mbështetjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas sulmeve të armatosura kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar – ku është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku – NATO-ja e ka përforcuar misionin e vet KFOR-in në Kosovë, dhe tani numëron 4.500 pjesëtarë.

Kosova e ka fajësuar shtetin e Serbisë për sulmin, ndonëse kjo e fundit ka mohuar gjithçka.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) tashmë ka lëshuar fletarrestim për të.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img