2.8 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Buy now

spot_img

Kurti takohet me Pendarovskin, e falënderon për shtimin e kontingjentit të trupave të saj në kuadër të KFOR-it

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili qëndroi për një vizitë zyrtare sot në vendin tonë.

Ata fillimisht zhvilluan një tête-à-tête para takimit bilateral ndërmjet delegacioneve zyrtare.

“Dy vendet dhe shtetet tona i dëshirojnë më të mirën njëra-tjetrës dhe kanë komunikim dhe bashkëpunim të mirë si në aspekt institucional ashtu edhe në nivel të shoqërive tona”, u shpreh kryeministri Kurti në fillim të takimit.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në takim u fol edhe për zhvillimet në rajon, procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe situatën e sigurisë pas sulmit terrorist dhe paramilitar të para katër muajve në Banjskë të komunës së Zveçanit.

“Me këtë rast, Kryeministri falënderoi presidentin Pendarovski për vendimin për Maqedoninë e Veriut për shtimin e kontingjentit të trupave të saj në kuadër të KFOR-it”, thuhet në njoftim.

Nga ana tjetër, presidenti Pendarovski u shpreh mirënjohës për mikpritjen sot.

Ai tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përveç marrëdhënieve shumë të mira, kanë edhe të njëjta qëllime strategjike, dhe se ajo është e gatshme që të ndajë me Kosovën përvojat e saj sa i përket integrimit evropian dhe anëtarësimin në NATO.

Kurti e falënderoi Pendarovskin dhe Maqedoninë e Veriut për mbështetjen ndaj Kosovës në çështje të ndryshme me interes të përbashkët, veçanërisht në rrafshin ndërkombëtar përmes përkrahjes në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Në takim u diskutua për marrëdhëniet bilaterale, fushat në të cilat mund të shtohet e thellohet bashkëpunimi dhe projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin dy shtetet, siç është projekti i rrugës Prizren-Tetovë për të cilën në javën e dytë të këtij muaji ministrat respektivë nënshkruan marrëveshje për bashkëfinancim të hartimit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Prizren-Tetovë.

Pendarovski sot qëndroi në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës për herën e dytë, pas vizitës së parë të tij në dhjetor të vitit 2021.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img