4.8 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img

Zyrtari i MPB-së që u kap me drogë në Serbi ishte arrestuar edhe vitin e kaluar, akuzohet për dy vepra penale

Punonjësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drilon Berbati, i cili prej kohësh shërben si zyrtar administrativ në Agjencinë për Regjistrim Civil, të martën ka rënë në prangat e Policisë së Serbisë, pasi i njëjti u kap me rreth 18 kilogramë substancë së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Sipas MUP-it serb, Berbati u ndalua në pikën e kalimit kufitar në Batrovc, pasi gjatë kontrollit të veturës të cilën ai po e drejtonte, u gjetën 32 doza marihuanë, apo rreth 18 kilogramë.

Me urdhër të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë, teksa pritet që ndaj tij të merren edhe masa tjera ligjore.

Por Berbati s’e ka sefte që has në telashe me ligjin.

Ai u arrestua nga autoritetet kosovare në korrik të vitit të shkuar, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Berbati ishte dërguar në paraburgim, pasi i njëjti dyshohet se në cilësinë e zyrtarit administrativ kishte pajisur me dokumente personale – letërnjoftim dhe pasaportë të Republikës së Kosovës – një person nga Shqipëria, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL-i për trafikim me drogë.

Prokuroria në ditën e arrestimit sqaroi se “i lartcekuri dyshohet se më 15.10.2021, në Prishtinë, respektivisht në zyrat e Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj Agjencie, përgjegjës për aplikim dhe shpërndarjen e dokumenteve personale (letërnjoftim, patentë shoferë dhe pasaportë), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, me dashje dhe dijeni, i ka keqpërdorur autorizimet e tija ligjore, duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin për dokumentet personale, në atë mënyrë që, personit me inicialet M.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli për vepra penale të narkotikëve, i sjellë dobi të kundërligjshme duke i ndihmuar që ta kompletojë, pranojë dhe vërtetojë dokumentacionin personal në emër dhe me të dhënat e të dëmtuarit A.N”.

E, në fillim të muajit dhjetor, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë kundër zyrtarit të Agjencisë për Regjistrim Civil, Drilon Berbati, i cili dyshohet për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga dt. 15.10.2021 e deri më 18.05.2023, në Prishtinë, respektivisht në zyrat e Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), i pandehuri D.B, në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj Agjencie, përgjegjës për aplikim dhe shpërndarjen e dokumenteve personale (letërnjoftim, patentë shoferë dhe pasaportë), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, me dashje dhe dijeni, në vazhdimësi i ka keqpërdorur autorizimet e tija ligjore, duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin primar dhe sekondar për pajisje me dokumentet personale, në atë mënyrë që, personit me inicialet M.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i kërkuar nga Interpoli për vepra penale të narkotikëve, i ka sjellë dobi të kundërligjshme duke i ndihmuar që ta kompletojë, pranojë dhe vërtetojë dokumentacionin personal në emër dhe me të dhënat e të dëmtuarit A.N., duke e pajisur me letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës me të dhënat e të dëmtuarit A.N, siç ka vepruar edhe me 7 (shtatë) persona të tjerë, duke i keqpërdorur të dhënat personale të të dëmtuarve, në të cilat i pandehuri kishte qasje”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë./sinjal/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img