Anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi në një konferencë për media ka akuzuar Qeverinë Kurti për fryrjen e faturave të energjisë elektrike, raporton PrishtinaPress.
“Jemi në pjesën e tretë të janarit dhe është hera e dytë ku qytetarët po pranojnë fatura me shifra marramendëse dhje shuma të papërballueshme. Nëse dikush po mendon që fyerja e faturave ka ndodh rastësisht apo ka ndonjë trend global të ngritjes së çmimit të energjisë elektrike është gabim”, ka thënë ai.
Azemi ka theksuar se arsyeja e ngritjes së çmimit të energjisë elektrike dy herë gjatë qeverisjes Kurti ka ndodhur për shkak siç thotë ai “shokëve të Albin Kurtit”.
“Ta kujtojmë që blloku A5 i termocentralit “Kosova A” ishte mbajtur jashtë funksionimit për disa muaj duke i mundësuar shokëve të Albin Kurtit, Nagipit e Martinit të shisnin energjinë elektrike në Kosovë me shuma të mëdha duke u munduar që ta kompensojnë prodhimin që ishte bllokuar”, tha Azemi.
Anëtari i LDK-së tutje u shpreh se po të ishte Kurti në opozitë, kryeministrin e sotëm do ta quante mashtrues tipik e klasik.
“Derisa çmimi i energjisë u rrit dy herë dhe mafisë energjetike me njerëz të Kurtit, si Martinit e Nagipit iu rriten shifrat e të hyrave në xhirollogaritë bankare, kjo qeveri për tri vite nuk ka rritur asnjë megavat kapacitetit e gjenerimit të energjisë elektrike. Kjo qeveri s’ka kapacitet e aftësi për të bërë më mirë”, tha ai.
Azemi përmendi edhe disa alternativa që LDK i ka paraparë në programin e saj.
“Ne e shohim të pashmangshëm ndërtimin e centralit me gazin amerikan në kapacitet prej 500 megavateve. Gazifikimin e Kosovës me burimin e gazit amerikan gjithashtu që do të vije përmes Shkupit në Han të Elezit e në Prishtinë për të vazhduar deri në Mitrovicë. Rehabilitimin e mirëfilltë të termocentralit Kosova B duke rritur kapacitetin gjenerues në 560 megavat.
Për të punuar në efiçiencën e energjisë në shkallë vendi në mënyrë që ta ulim konsumin e energjisë. Përqendrim tek energjia e ripërtrishme duke ndërtuar kapacitete prej 1 mijë megavateve pra 500 megavat me erë dhe 500 megavat nga burimet solare”, u shpreh Azemi.
Krahas këtyre Azemi shtoi se kanë paraparë edhe uljen e TVSH në 0% për faturat e energjisë elektrike.
“Uljen e taksave doganore dhe tatimeve në zero euro për veturat elektrike dhe dyfishimin e projekteve të kogjenerimeve të ngrohjeve qendrore pra Prishtinës e Obiliqit e për të vazhduar edhe në qytete tjera”, theksoi anëtari i kryesisë së LDK-së.
Në fund ai i bëri ftesë publike ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli për një debat publik.