Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitarja e 41-të e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin W04489 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Me të fillluar seanca, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III kërkoi që të kalohet në sesion privat për të diskutuar për një çështje dhe si e tillë vazhdoi.
Ndërsa, se dëshmitarja e 41-të po e vazhdon dëshminë e saj është bërë e ditur përmes një njoftimi nga DhSK.
Para se të kalohet në sesion privat, gjyqtari Smith III tha se të gjithë të akuzuarit ishin prezent në sallën e gjykimit përveç Jakup Krasniqit, i cili ishte i pranishëm përmes video-lidhjes, .
Përveç të akuzuarit Krasniqi, edhe gjyqtari Guenawl Mettraux është duke e ndjekur gjykimin përmes video-lidhjes dhe sipas Smith III kjo gjë ka ndodhur për shkak të disa problemeve personale të gjyqtarit, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Klankosova.tv.
Nën masa mbrojtëse, dëshmitarja e 41-të ka filluar dëshminë e saj më 17 janar 2024.
Në përmbledhjen e lexuar nga prokurori Matt Halling atë ditë, u tha se dëshmitarja është e afërme e një viktime që pretendohet se është vrarë dhe zhdukur nga Drenoci.
“Dëshmitari 04489 është e afërme e një viktime që pretendohet se është vrarë dhe është zhdukur nga Drenoci. Dëshmitari do të përshkruajë veprimtaritë e viktimës së pretenduar përpara se të zhdukej në Drenoc, herën e fundit që dëshmitarja e ka parë dhe përpjekjet e pafundme që ka bërë familja për të zbuluar se çfarë i kishte ndodhur këtij personi”, tha prokurori gjatë leximit të përmbledhjes.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.