Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka njoftuar se ka dërguar propozim vendimin për ndarjen e 300 eurove për fëmijët e lindur më 2024 si dhe 500 eurove për çiftet e reja.
Në një postim në Facebook, Atiq shkroi se këtë propozim vendim e ka dërguar këtë të hënë në Komitetin për Politikë dhe Financa në këtë Komunë.
“Sot kam dërguar propozim vendimin në KPF për mbështetje financiare në shumë prej 300 € për fëmijët e lindur në vitin 2024 si dhe nga 500 € për çiftet e reja. Ashtu siç jemi zotuar, do të angazhohemi maksimalisht për t’i realizuar premtimet tona”, shkroi ai.
Sipas propozim vendimit, shuma e mjeteve për fëmijët do të transferohet në llogarinë bankare të nënës ndërsa për çiftet në llogari të bashkëshortes.