Liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë tjerë të lartë u mblodhën sot në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për planin për rritje ekonomike të rajonit. Por palëve u është vendosur një kusht në këtë plan të rritjes e që thotë se ju nuk duhet të bllokojnë fqinjët.
Kështu deklaroi drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman, i cili ka kërkuar angazhim të madh të liderëve të Ballkanit për rrugën përpara.
“Ne i kemi përveshur mëngët që t’ju ndihmojmë. Jam i inkurajuar nga përkushtimi juaj dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse qeveritë e rajonit vlerësojnë se ky është një prioritet i lartë, dhe vetëm nëse sigurohen se ndryshimet po ndodhin. Pikërisht, logjika thotë se ne do t’ju ndihmojmë që të integroheni mes vete, nëse ju integroheni në tregun e brendshëm. Vlerësoj se kjo është e një rëndësie absolute, sepse pa një integrim të tillë në rajon, ju thjesht nuk do të mund të shfrytëzoni mjaftueshëm përfitimet nga tregu i brendshëm.
Këto janë dy çështje që shkojnë bashkë andaj kemi vendosur një kusht në këtë plan të rritjes e që thotë se ju nuk duhet të bllokoni fqinjët e juaj. Duam të vini me ne. Nëse nuk i bllokoni fqinjët, do t’ju pranojmë, por nëse i bllokoni atëherë nuk do të kemi qasje në tregun e brendshëm, pasi shpenzimet e brendshme nga mosbashkëpunimi janë shumë të mëdha”, ka deklaruar Kopman.
Ndërsa ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, u ka thënë liderëve të Ballkanit Perëndimor se asnjëherë nuk kanë qenë më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Por ai pati një paralajmërim, duke thënë se liderët e Ballkanit se nuk do të kenë mundësi për të penguar rrugëtimin e njëri-tjetrit, sepse nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura, dhe se kushdo që tenton të pengojë diçka do të përballet me ndëshkime.
Sipas tij, plani i ri i BE-së dallon prej ofertave paraprake.
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro.