Në orën 09:30, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të bëjë homazhe te varri i ish-presidenti Ibrahim Rugova, në 18 vjetorin e vdekjes, në lagjen “Velani” të Prishtinës.
Ndërkaq, si njofton Presidenca, në orën 11:00, Osmani merr pjesë dhe mban fjalim në Akademinë Përkujtimore në 18 vjetorin e vdekjes së Rugovës në Teatrin e Qytetit në Gjilan.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kishin reaguar që Akademia për Presidentin Ibrahim Rugova s’u përfshi në kalendarin Flakës së Janarit”, një festival kulturor që mbahet në Gjilan.
Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri pati thënë se pasi Akademia u hoq nga kalendari, Presidentja Osmani e kishte marrë përsipër organizimin e saj.
Haziri gjithashtu ka akuzuar Qeverinë që me urdhër të saj është hequr nga programi.
“Pas reagimeve tona për mospërfshirjen e Akademisë së Presidentit Rugova nga ana e ekzekutivit të Gjilanit në kalendarin e “Flakës së Janarit”, presidentja Osmani e paska marrë përsipër organizimin e kësaj akademie nën patronatin e saj. E përshëndesim këtë vendim të presidentes, por turpi mbetet mbi qeverinë qendrore, me urdhër të të cilës u hoq nga kalendari i “Flakës…” nga ana e administratorit të Komunës së Gjilanit”.
Ai thotë se figura e “Presidentit historik mbetet unikate, dhe ani pse lidershipi i VV-së vazhdojnë ta urrejnë edhe për se vdekuri, ua rikujtojmë se Presidenti Ibrahim Rugova ka iniciuar e shkaktuar procese, duke realizuar ëndrrën shekullore të shqiptarëve për liri, pavarësi e demokraci!”