Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare është në të mirë të Kosovës. Por sipas tij gara më e madhe është për vendin e dytë.
Konjufca ka thënë se zgjedhjet parlamentare nëse mbahen më shpejt është më mirë për Kosovën, por që kërkon koordinim me institucionet përgjegjëse, përfshirë Qeverinë e Presidencën.
“Sa më herët ma merr mendja aq më mirë për Kosovën, mirëpo natyrisht që Qeveria i ka planet e veta, projektet që është duke i realizuar e pastaj në bazë të këtyre dyjave duhet të gjejmë një drejtpeshim në kohën më të mirë të zgjedhjeve e cila do të bëhet me marrëveshje me subjektet politike, po edhe mes kryeministrit, presidentes e edhe mes meje si kryeparlamentar”, u shpreh Konjufca para mediave.
Ai e ka komentuar edhe koalicionin ndërmjet AAK-së dhe Nisma Socialdemokrate.
“Koalicionet kanë ndodhur e ndodhin edhe tash, Aleanca ka qenë edhe më herët në një koalicion me Nismën me sa e mbaj mend po ndodh sërish, e sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, çka me thanë, sondazhet janë, rezultatet janë të qarta, unë mendoj që gara ka me qenë një garë e ashpër për vendin e dytë”, deklaroi Konjufca.
Ndryshe, në mbrëmje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë lidhur koalicion parazgjedhor.
Zyrtarizimi i koalicionit është bërë ndërmjet Ramush Haradinajt, kryetarit të AAK-së dhe Fatmir Limajt, kryetarit të NISMA-s Në marrëveshjen mes dy partive, bëhet e ditur se të dyja dakordohen që të krijojnë rreshtin e përbashkët, teksa bëhet e ditur se të dy partitë janë të hapura që ta zgjerojnë koalicionin.