Ish-ambasadori amerikan në Rusi dhe njëherësh profesori i shkencave politike, Michael McFaul tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk duhet që kurrsesi të fitojë në Ukrainë.
McFaul deklaroi se nëse Putini mposht Ukrainën, kërcënimi rus për aleatët e SHBA-së në Evropë do të rritet në mënyrë dramatike.
Sipas tij, presidenti rus duhet të ndalet në Ukrainë për të shmangur luftërat më të mëdha ose kërcënimet e luftës në të ardhmen.
“Nëse Putini mposht Ukrainën, kërcënimi rus për aleatët tanë në Evropë rritet në mënyrë dramatike. Investimi tani për të ndaluar Putinin në Ukrainë ndihmon për të shmangur luftërat më të mëdha ose kërcënimet e luftës në të ardhmen. Le të nxjerrim mësimet e viteve 1930 në vend që të përsërisim të njëjtat gabime përsëri”, shkroi eksperti amerikan në llogarinë e tij në X.
Paralajmërime të shumta ka pasur nga ana e ekspertëve perëndimorë për kërcënimet të shumta që cenojnë sigurinë e Evropës në saje të luftës në Ukrainë.