Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti e ka kujtuar Enver Malokun, gazetarin dhe bashkëpunëtorin e Ibrahim Rugovës, i cili u vra para 25 vjetësh në Prishtinë.
Hamiti shkroi se Malokun “e vranë herën e dytë”, pasi i kishte shpëtuar atentatit të parë.
“Si sot, para 25 vjetësh, më 11 janar 1999, u vra në Prishtinë Enver Maloku, gazetari kryesor politik i kohës në Kosovë, bashkëpunëtor i Presidentit historik Ibrahim Rugova. Ishte shef i Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), agjencisë së lajmeve të Kosovë. E vranë herën e dytë. I kishte shpëtuar atenatit të parë, më 18 korrik 1998, kur u shkrepën plumba drejt tij, para banesës së tij në Breg të Diellit në Prishtinë”, shkroi Hamiti.
“Nuk qe ndalur në punën e vet, bile punonte më me intensitet, sikur ta dinte që ditët i kishte të numëruara. Jeta e tij në ata gjashtë muaj ishte kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar. Një pjesë e punës së tij të asaj kohe përmblidhet në librin “Gjuha e stuhisë”, që bashkë me kolegun tim në QIK, Safet Zejnullahun, e botuam para 22 vjetësh. Gjuha e stuhisë e dëfton kohën por edhe tipin e shkrimit të Enver Malokut, të mprehtë, të qartë, të gjallë, shqip”, shtoi ai.
Të tillë Hamiti tha se e kujton sot mikun e tij, Enver Malokun, “njeriun e kulturës shqipe që bëri luftën e vet për liri, pavarësi e demokraci të Kosovës deri në frymën e tij të fundit”.
“Profetik është shkrimi i tij i mbramë për vitin 1998: “Viti i luftës 1998 dhe viti i lirisë 1999””, shkroi Hamiti, duke shpërndarë një pjesë nga ky tekst.