Testim me shkrim të mësimdhënësve nuk do të ketë. Kështu këmbëngul, Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.
Ai kështu i kundërpërgjigjet ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila përsëri u shpreh e bindur se ky proces do të zhvillohet.
“Nuk ka pasur, nuk ka dhe as nuk do të ketë testim të mësimdhënësve për licencimin e tyre. Mësimdhënësit që janë pjesë e sistemit të arsimit, që kanë licencë fillestare, të avancuar apo të përhershme njohuritë e tyre i kanë testuar në fakultete”, deklaroi Jasharaj.
Megjithatë ai përmend një version kur mësimdhënësit mund të testohen e me të cilin edhe SBAShK-u është dakord.
“Edhe në bazë të ligjit të pagave, është paraparë që ata që duan të ngriten në karrierë do të mund t’i nënshtrohen ndonjë vlerësimi, varësisht se si parashihet nga MASHTI. Pra, ata obligohen që të nxjerrin rregulloren e cila e përcakton formën e vlerësimit, që mund të jetë edhe ndonjë testim”, tha ai.
“Pra, vlen për ata që duan ta sfidojnë vetën edhe të ngriten në karrierë e që kjo do të nënkuptojë edhe rritjen e pagës. Këtë rast ne nuk do të jemi kundër. Pra për ata që duan marrjen e licencës së avancuar. Në të kundërtën, mësimdhënësit le të rrinë të qetë sepse nuk do të kenë testim”, tha i pari i SBAShK-ut.