3.1 C
Pristina
Friday, November 29, 2024

Buy now

spot_img

“I japim edhe pa recetë” – Paratë në kuletë, antibiotikët në xhep

Pak më shumë se shtatë euro e 60 centë mjaftojnë për t’i blerë dy lloje antibiotikësh në barnatore në Prishtinë.

Përveç parave, shitësit nuk kërkojnë asgjë tjetër… as recetë nga mjeku.

“Po, ne japim antibiotikë edhe pa recetë… Pse çka ka të keqe?!”, thotë një teknike e farmacisë për Radion Evropa e Lirë, në një nga barnatoret në lagjen Dardania në Prishtinë.

Edhe pse vetëm teknike e farmacisë e jo farmaciste, ajo tregon se si duhet të përdoret lloji i antibiotikut të blerë, Amoxicillin.

Farmacisti Shkumbin Jusufi, anëtar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, beson se ndër shkaqet kryesore të këtij problemi është mungesa e farmacistëve, të cilët në barnatore në Kosovë zëvendësohen shpeshherë me teknikë të farmacisë.

“Unë mendoj se ata e bëjnë abuzimin më të madh. Ata nuk ia dinë të mirat dhe të këqijat antibiotikut. Ai [tekniku] është jokompetent për atë që e jep. Te ne, pas orës 15:00, 99 për qind e barnatoreve punojnë pa farmacistë e pa njeri kompetent”, thotë Jusufi.

Sipas Institutit amerikan të Shkencës dhe Edukimit Mjekësor, një farmacist mund “t’i këshillojë pacientët lidhur me përdorimin e medikamenteve të caktuara”, si dhe t’i këshillojë edhe mjekët lidhur me llojin dhe dozën e medikamentit që duhet të përdoret.

Ndërkohë, për teknikët e farmacisë thuhet se ata mund vetëm t’i përgatisin medikamentet për klientët “nën mbikëqyrjen e farmacistit”.

Antibiotikët shiten pa recetë të mjekut edhe në shumë barnatore të tjera në Kosovë. Në një prej tyre, Radio Evropa e Lirë kërkoi të blejë një lloj antibiotiku për fëmijë, Ospen.

E habitur nga pyetja se a është normale të merret ky lloj ilaçi pa recetë nga mjeku, farmacistja në këtë barnatore thotë se “nuk është problem të jepet ky antibiotik se është i përgatitur [shitet i gatshëm për t’u konsumuar, nuk kërkon përgatitjen e tij nga tekniku i farmacisë]”.

Kosova ka ligj dhe udhëzim administrativ që e ndalon shitjen e ilaçeve pa recetë. Por, ato nuk respektohen.

Në udhëzimin administrativ mbi recetat në sistemin shëndetësor në Kosovë thuhet se “farmacisti ka të drejtë të japë vetëm barin, i cili është i përshkruar në recetë” maksimumi deri në tri ditë pas përshkrimit të antibiotikut nga mjeku.

Mikrobiologu Lul Raka, nga Universiteti i Prishtinës, thotë se keqpërdorimi i antibiotikëve po e çon njerëzimin drejt një kërcënimi serioz: shfaqjen dhe përhapjen e rezistencës ndaj antibiotikëve.

“Antibiotikët nuk guxojnë të jepen pa recetë të mjekut. Nëse ka ligje, ato duhet të zbatohen. Edhe inspektorati duhet të veprojë. Në anën tjetër, edhe vetë qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se nëse blejnë antibiotikë pa u konsultuar me mjekun, e kanë gabim”, thotë Raka.

E njohur me shkurtesën AMR, rezistenca antimikrobike është aftësia e baktereve, viruseve e parazitëve për t’i përballuar veprimit të antimikrobikëve, si për shembull antibiotikëve.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rezistenca e mikrobeve ndaj antimikrobeve bën që “medikamentet të bëhen joefektive dhe infeksionet të mbeten në trup, duke e rritur rrezikun e përhapjes te të tjerët”.

Të dhënat lidhur me përdorimin e antibiotikëve në Kosovë në vitet e fundit janë të pakta. Sipas një hulumtimi të bërë nga profesori Raka, në vitin 2019, rreth 33 për qind e vizitave mjekësore në Kosovë përfundojnë me parashkrim të antibiotikëve.

Në një tjetër hulumtim të vitit 2019, të publikuar në Bibliotekën Kombëtare amerikane të Mjekësisë, thuhet se rreth 43 për qind e të rriturve dhe 58 për qind e fëmijëve kanë marrë së paku një antibiotik gjatë qëndrimit në spitale në Kosovë. Sipas hulumtuesve, kjo tregon se “përdorimi i antibiotikëve në spitalet e Kosovës është shumë i lartë”.

Sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjeve, mbi 35 mijë njerëz vdesin çdo vit në Bashkimin Evropian, Islandë dhe Norvegji shkaku i infeksioneve që janë rezistente ndaj antibiotikëve.

Ndërkohë, një raport i vitit 2023 për ambientin nga OKB-ja parashikonte se, deri më 2050, deri në dhjetë milionë vdekje do të shkaktohet nga mikrobet rezistente ndaj antimikrobeve, duke u barazuar kështu me numrin total të vdekjeve të shkaktuara nga kanceri në botë.

Qendra amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve paralajmëron se, sa herë që përdoren antibiotikë, ata mund të kontribuojnë në krijimin e rezistencën antimikrobike.

Edhe pse përdorimi i antibiotikëve është zvogëluar në vitet e fundit në Evropë, vetëm gjysma e shtetasve të BE-së e dinë se antiobiotikët nuk janë efektivë ndaj viruseve dhe vetëm 30 për qind e dinë se përdorimi i panevojshëm i antibiotikëve i bën ata joefektivë.

Për Besim Kodrën, udhëheqës i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, qasja e pakufizuar në antibiotikë simbolizon nivelin e sistemit shëndetësor në Kosovë.

“Kjo pak a shumë tregon edhe atë mungesën e besimit në shëndetësi, po edhe atë mungesën e kontrollit të shtetit ndaj barnatoreve, të cilat shesin barna pa përshkrim të mjekut – sidomos antibiotikë që ka mundësi ta dëmtojnë pacientin”, thotë Kodra.

Ai thekson se shoqata që ai drejton ka kërkuar disa herë nga Inspektorati Shëndetësor dhe institucionet e tjera që të merren masa ndaj institucioneve, të cilat shesin medikamente pa recetë të mjekut.

“Zakonisht, arsyetohen me mungesë të inspektorëve. Edhe kjo tregon se sa shumë barna shiten në të zezën”, shton ai.

Inspektorati farmaceutik, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, thotë se ka realizuar 932 inspektime gjatë vitit 2023. Gjatë këtyre inspektimeve, inspektorati thotë se ka hasur në parregullsi dhe ka marrë masa ndëshkuese.

“Për këto parregullsi të takuara janë shqiptuar 249 gjoba, si për produkte ilegale, mungesë farmacisti përgjegjës apo zëvendësues, për dhënie të produkteve pa recetë të mjekut (në mesin e të cilave hyjnë edhe antibiotikët), si dhe për parregullsi të tjera”, thuhet në një përgjigje të Inspektoratit Shëndetësor për REL-in.

Sipas Ligjit për Shëndetësi dhe atij për Produkte dhe Pajisje Medicinale, gjoba për shitje të produkteve medicinale pa recetë është 1.000 euro.

Kryeshefi i Departamentit të Mjekësisë Familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Valdet Hashani, konfirmon se, në shumicën e barnatoreve në Kosovë, antibiotikët jepen pa recetë.

Sipas tij, kjo ndodh edhe për shkak të mungesës së recetave elektronike dhe mosfunksionimit të sistemit informativ shëndetësor.

Kjo ndodh, pos tjerash, thotë ai, edhe për faktin se nuk ka receta elektronike dhe nuk funksionon Sistemi Informativ Shëndetësor (SISH).

Evidentimi i pacientëve në librin e regjistrimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, prill 2023.

Edhe pse të vetëdijshëm për pasojat e përdorimit joadekuat të antibiotikëve, Hashani thotë se mjekët në Kosovë janë të detyruar të përshkruajnë antibiotikë për pacientët.

“Përshkimi i antibiotikëve pa indikacione është vetëm për shkak të frikës, ose për shkak të kërcënimit që pacienti e bën ndaj mjekut. Kemi raste e raste kur mjekët dhe infermieret janë rrahur në vendin e punës”, thotë Hashani.

Tutje, ai tregon se shpeshherë vijnë pacientë të kërkojnë antibiotikë të caktuar vetëm sepse kanë dëgjuar se ndonjë familjar apo fqinj i tyre e ka përdorur atë: “As nuk dinë ta mbajnë në mend [emrin], por thonë ‘ato kapsulat që janë kuq e zi’”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img