Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu ka thënë se diskriminimi i Serbisë ndaj komunitet shqiptar në Luginë të Preshevës ka prekur kufijtë e racizmit.
Ai në një intervistë për KosovaPress theksoi se jeta e shqiptarëve në këto tri komuna nuk i ngjason një qytetari të rajonit.
Sipas tij, vetëm në Bujanoc, Serbia po investon 5.3 milionë euro në shkollat serbe. Një gjë e tillë nuk po ndodh edhe në shkollat shqipe, për çka shprehet se janë në rrezik për mbyllje.
“Diskriminimi i shtetit të Serbisë ndaj komunitetit shqiptar në Serbi i ka prekur kufijtë e racizmit. Për shkak që trendi i diskriminimit nuk është që po ndalon, por vazhdimisht po rritet. Dhe për këtë arsye jo vetëm që po vështirëson punën tonë institucionale, por jashtëzakonisht po vështirëson edhe jetën e qytetarëve shqiptarë në këtë vend. Kur them që diskriminimi ka prekur kufijtë e racizmit, unë i kisha dhënë disa fakte përmes së cilës e argumentojmë këtë pjesë. Vetëm në shkollat serbe, vetëm në Bujanoc, Serbia është duke bërë 5.3 milionë euro investime. Ndërkohë shkollat shqipe në Luginën e Preshevës janë në një gjendje të tmerrshme dhe ka zero investime në ato shkolla”, deklaron Lutfiu.
Lutfiu thotë se nuk ka integrim të plotë të shqiptarëve në institucione, por tendencë për largimin e tyre nga puna.
“Edhe në këtë vit që po e lëmë pas procesi i pasivizimit ka qenë jashtëzakonisht aktiv. Në Medvegjë kanë arritur që të defaktorizojnë shqiptarët. Pra, edhe në zgjedhjet e fundit më 17 dhjetor, Medvegja pati edhe zgjedhje lokale, edhe pse shqiptarët e maksimalizuan votën e tyre, prapë nuk do të jenë faktor në Kuvendin Komunal në Medvegjë. Trendi i pasivizimit është duke u rritur në Bujanoc dhe po i përmendi vetëm dy rastet e fundit që janë më ekstremet që ka ndodhur. I është pasivizuar adresa profesorit të gjuhës frënge në gjimnaz dhe gruas së tij, e cila është punëtore në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc. Që të dy kanë vendim të përhershëm të punës. Pra edhe këta persona kanë filluar tashmë që të bëhen target i pasivizimit”, shton ai.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar potencon se shqiptarët në të tri komunat e Luginës ndihen të rrezikuar të marrin edhe shërbime shëndetësore.