Një gjykatë në Stamboll ka urdhëruar që 15 nga 34 personat që u arrestuan nën dyshimin se janë spiunë të Izraelit, të mbahen në burg në pritje të gjykimit.
Të dyshuarit u arrestuan të martën pasi dyshohet se kishin planifikuar të kryenin aktivitete që përfshinin “zbulimin” dhe “ndjekjen, sulmin dhe rrëmbimin” e shtetasve të huaj që jetonin në Turqi.
Ministri turk i Drejtësisë Yilmaz Tunc tha në një postim në mediat sociale se 26 të dyshuar u referuan në gjykatë me akuzën e kryerjes së “spiunazhit politik ose ushtarak” në emër të inteligjencës izraelite.
11 u liruan në kushte kontrolli gjyqësor dhe tetë ishin në pritje të dëbimit, raporton Euronews
Thuhet se Agjencia e inteligjencës së jashtme izraelite Mossad ka rekrutuar palestinezë dhe shtetas sirianë brenda Turqisë si pjesë e operacionit kundër të huajve që jetojnë në Turqi, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.
Agjencia citoi një dokument të prokurorisë që thoshte se operacioni kishte në shënjestër “shtetasit palestinezë dhe familjet e tyre… brenda fushës së konfliktit të vazhdueshëm izraelito-palestinez”.
Një i dyshuar thuhet se ka mbledhur informacione për pacientët palestinezë të transferuar së fundmi në Turqi për kujdes shëndetësor. Turqia ka pranuar dhjetëra pacientë palestinezë nga Gaza që nga fillimi i konfliktit Izrael-Hamas.
Të dyshuarit u arrestuan në bastisje në 57 adresa në Stamboll dhe shtatë provinca të tjera.
Javë më parë, kreu i agjencisë vendase të sigurisë izraelite Shin Bet tha se organizata e tij ishte e përgatitur të synonte Hamasin kudo, përfshirë Libanin, Turqinë dhe Katarin.
Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan paralajmëroi Izraelin për “pasoja serioze” nëse vazhdon me kërcënimin e tij për të sulmuar zyrtarët e Hamasit në tokën turke.