Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka folur së fundmi sërish për procesin e dialogut me Serbinë, marrëveshjet që janë arritur dhe hapat e tjerë që do të ndërmerren për zbatimin e ujdive.
Bislimi ka thënë se tashmë ka mbetur që palët të pajtohen për sekuencimin, që duhet bazuar në dy parimet, që duhet bërë diçka për të marrë diçka në këmbim dhe se çdo gjë që ndodhet në dokumentin bazik duhet të reflektohet në implementimin e planit të sekuencimit.
Ai shtoi se implementimi do të bëhet në atë mënyrë që në secilën prej 4 fazave të themelimit të Asociacionit, Serbia duhet të kryejë obligimet e saj në drejtim të njohjes de-facto.
Duke folur për hapat e parë, Bislimi ka thënë se Serbia duhet të njohë pasaportat e Kosovës dhe të gjithë dokumentet që lëshohen nga Republika e Kosovës. Një gjë e tillë duhet të ndodh në momentin që institucionet e Kosovës e miratojnë Draft-Statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Bazuar në këtë z. Lajcak është duke zhvilluar disa propozime dhe ne jemi duke negociuar për ato propozime. Asociacioni është pjesë e Nenit 10, në momentin që pajtohemi për sekuencimin, atëherë palët janë të obliguara të fillojnë implementimin. Me këtë implementim, procesi është vendosur në atë mënyrë që në secilën fazë të punës me Asociacionin, faza e parë është miratimi i draft-statutit, e dyta është vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pastaj vendimi i Qeverisë dhe i katërti element është themelimi.
Në këto 4 faza, Serbia duhet të kryejë obligimet në drejtim të njohjes de-facto. Në momentin që jemi gati ta themelojmë trupën e quajtur Asociacion apo çfarëdo emri që i vendosim sepse Asociacioni nuk është një markë tregtare, Serbia duhet ta kompletojë njohjen de-facto.
Ky është pozicioni i të gjithëve përfshirë Serbinë. Çfarë thonë ata publikisht është për konsum të brendshëm, por në Bruksel thonë që ne do ta njohim Kosovën de-facto. Në perspektivën e tyre, zhvillimi i parë apo vendimi i parë që duhet të bëjnë është që të njohin pasaportat, letërnjoftimet, certifikatat e lindjes, të gjitha dokumentet që lëshojnë institucionet e Kosovës. Ata duhet t’i njohin në momentin që institucionet e Kosovës miratojnë dokumentin e Draft-Statutit”, ka thënë Bislimi.