-0.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Serbët e Kosovës ende kanë nevojë për viza drejt Evropës

Me pasaporta të Kosovës tani mund të hyni në BE pa vizë, por serbët nga Kosova me pasaporta serbe ende nuk munden, përkujton Frankfurter Allgemeine Zeitung. Brukseli do t’i mundësonte por Prishtina po kundërshton.

Qytetarët e Kosovës më në fund mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung. Gazeta thekson se kjo nuk vlen për një grup njerëzish – serbët e Kosovës pa pasaportë të Kosovës.

“Nëse ky përjashtim mbetet, atëherë serbët e Kosovës do të jenë të vetmit evropianë – pa llogaritur qytetarët e Rusisë dhe Bjellorusisë – të cilëve ende u mohohet liria e udhëtimit në BE”, shkruan kjo gazetë.

Siç përkujton gazeta, kjo situatë e veçantë u krijua në vitin 2009, kur qytetarëve serbë iu dha mundësia e udhëtimit pa viza.

Në atë kohë, Komisioni Evropian ka insistuar që të mos bëhet dallimi mes banorëve të Kosovës, kështu që serbët e Kosovës, të cilët regjimi serb i kishte pajisur pasaporta, ata ende nuk kanë mundur të udhëtonin pa viza.

Tani Komisioni Evropian propozon të shfuqizojë këtë rregull special nga viti 2009. Atë e kapërceu koha me vendosjen e lirisë së vizave për Kosovën, thonë në Bruksel, shkruan Frankfurter Allgemaine.

Sipas gazetës, këtë e kundërshton qeveria e Kosovës, e cila pretendon se tani gjithnjë e më shumë serbë të Kosovës po aplikojnë për pasaporta të Kosovës, gjë që, i kontribuon integrimit.

Gazeta e Frankfurtit thekson se edhe më tutje është një numër i vogël i serbëve që janë në kërkim të pasaportës së Kosovës. Vitin e kaluar, sipas të dhënave nga Prishtina, ishin 4.350, ndërsa një vit më parë 3.400.

Ajo përkujton edhe për letrën që zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi i cili i kishte shkruar Brukselit në nëntor, duke kërkuar që serbët e Kosovës edhe më tutje të mos mund të udhëtojnë në BE me pasaportë serbe dhe duke u kujtuar atyre se ata gjithmonë mund të aplikojnë për pasaportë të Kosovës.

Gazeta citon gjithashtu fjalët e një diplomati të paidentifikuar kosovar, i cili thotë se Kosova nuk do të mund të merrte përgjegjësi për banorët që do të udhëtonin me pasaporta serbe dhe që do të bënin ndonjë kundërvajtje – si për shembull qëndrimin më të gjatë se 90 ditë – apo ndonjë vepër penale.

“Ne mund të marrim përgjegjësi vetëm për qytetarët që udhëtojnë me pasaportë të rregullt të Kosovës”, ka thënë diplomati.

Gazeta rikujton se në nëntor edhe 21 organizata joqeveritare të Kosovës i kanë shkruar Bashkimit Evropian duke përdorur argumentet e Qeverisë.

Për këtë kanë reaguar disa iniciativa civile të serbëve të Kosovës me “mosbesim dhe zhgënjim”, shkruan gazeta. Ata habiten se “si organizatat që luftuan me vite kundër izolimit të pajustifikuar të Kosovës në Evropë tani po kërkojnë izolim të përhershëm për një pjesë të bashkëqytetarëve të tyre”.

“Është e paqartë se si do të shkojnë gjërat”, ka shtuar Frankfurter Allgemeine Zeitung. “Komisioni Evropian po qëndron pranë propozimit të tij për të hequr rregullin special nga viti 2009. Në mënyrë që ky propozim të pranohet, duhet të miratohet nga anëtarët e BE-së dhe nga shumica në Parlamentin Evropian. Është e pasigurt nëse kjo do të ndodhë para zgjedhjeve evropiane në qershor”.

Gazeta vlerëson se deri atëherë popullariteti i pasaportave të Kosovës në mesin e serbëve të Kosovës ende mund të rritet. Por kjo nuk do të thoshte asgjë për rritjen dhe forcimin e shkallës së identifikimit të minoritetit serb me Kosovën, përfundon gazeta.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img